Një shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe një shtetas i Kosovës janë arrestuar dje (14 gusht) në Selanik me 324 kilogramë marihuanë, njoftoi Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë kontrollit të një automjeti transportues, në rimorkio u gjetën dhe u sekuestruan 324 kilogramë drogë narkotike – marihuanë, e fshehur në tetë paleta me letër”, njoftoi kjo prokurori.
Me urdhër të prokurorit janë kryer kontrolle edhe në disa lokacione në Maqedoninë e Veriut, me qëllim zbulimin e përfshirjes së mundshme të personave të tjerë dhe sigurimin e provave shtesë.
Ndërkaq, nga Mininstria e Brendshme njoftuan se, aksioni është zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet përgjegjëse për luftën kundër trafikimit të paligjshëm të drogës në Kosovë dhe Greqi.
“Si rezultat i hetimit të koordinuar disa mujor, sot në Selanik janë arrestuar një shtetas maqedonas dhe një shtetas kosovar. Gjatë kontrollit të një automjeti transportues, në rimorkio u gjetën dhe u sekuestruan 324 kilogramë marihuanë, të fshehura në tetë paleta me letër”, thanë nga MPB.
Deri tani nuk ka informacione nëse janë arrestuar persona të tjerë, si dhe nuk dihen detaje të tjera lidhur me kontrollet e kryera në vend.