Nga 10 deri më 12 korrik në Strugë do të mbahet festivali “Këngë Jeho”

Struga do të jehojë nga kënga, vallja dhe ngjyrat e traditës shqiptare. Më 10, 11 dhe 12 korrik, në qytetin buzë Drinit do të mbahet edicioni i 35-të i Festivalit të Këngëve dhe Valleve të Përpunuara dhe të Stilizuara “Këngë Jeho”. Për tri mbrëmje me radhë, ky festival do ta kthejë Strugën në një skenë të hapur të trashëgimisë kulturore, ku tradita vjen e përpunuar, e stilizuar dhe e përshtatur me energjinë e kohës, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i festivalit, Zini Jusufi, për Portalb.mk tha se publiku këtë vit do të përjetojë gërshetimin perfekt të traditës me një energji të re skenike.

“Publiku këtë vit do të përjetojë gërshetimin perfekt të traditës me një energji të re skenike. ‘Këngë Jeho’ mbetet besnik i rrënjëve, por sjell një dinamikë që i përshtatet kohës. Si moment kulminant që pritet të mbetet gjatë në mendje do të jenë defiletë madhështore përgjatë brigjeve të lumit Drin, ku ngjyrat e kostumeve dhe bashkimi i qindra artistëve në një frymë do të krijojnë kartolinën kryesore dhe ‘temën’ vizuale të këtij edicioni”, tha Jusufi.

Ai shtoi se një nga triumfet më të mëdha të festivalit është tërheqja e publikut të ri.

“Po, dhe ky është një nga triumfet tona më të mëdha. Përmes një organizimi më dinamik, ndërveprimit në rrjetet sociale dhe prezantimit të folklorit si një art të gjallë e plot ritëm, kemi arritur që ‘Këngë Jeho’ të mos jetë vetëm një nostalgji për të moshuarit, por një format tërheqës për të rinjtë që po e zbulojnë dhe po krenohen me trashëgiminë e tyre kulturore”, deklaroi Jusufi.

Drejtori i festivalit tha se Struga është vendi ideal për këtë ngjarje kulturore, për shkak të magjisë së saj natyrore dhe atmosferës që krijon qyteti.

“Struga ka një magji natyrale ku kënga dhe uji bëhen një. Ura e vjetër, rrjedha e Drinit të Zi dhe freskia e mbrëmjeve verore krijojnë një skenografi natyrore që nuk e ka asnjë qytet tjetër. Kur energjia e rinisë, vallet tona dhe kënga popullore bashkohen në këtë ambient, festivali kthehet në një festë shpirtërore që reflekton mikpritjen dhe gjallërinë e Strugës”, theksoi Jusufi.