Nesër në Shkup do të hapet Panairi i Librit Shqip, 55 botues në sheshin ‘Skënderbeu’ (Video)
Nesër, me fillim në ora 11:00, në Sheshin Skënderbeu në Shkup do të hapet “Panairi i Librit Shqip, Shkup 2026”, një ngjarje e rëndësishme kulturore që synon ta afrojë librin shqip me qytetarët, autorët, botuesit dhe dashamirët e leximit, shkruan Portalb.mk.
Panairi do të zgjasë katër ditë, nga 4 deri më 7 qershor, ndërsa Shkupi do të jetë nikoqir i botuesve nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Në këtë ngjarje pritet të prezantohen mijëra tituj librash, përfshirë botime të reja dhe vepra të njohura nga autorë shqiptarë.
Kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamed Murtezi, në konferencën për media tha se panairi do të mbledhë rreth 55 botues nga rajoni.
“Prej 4 deri më 7 qershor do të mbahet një panair që grumbullon rreth 55 botues nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Këta botues do të sjellin mijëra tituj, ndër më të mirët dhe më të rinjtë që kanë në dispozicion. Si Komunë e Çairit, bashkë me organizatorët, e kemi vlerësuar këtë panair si shumë të nevojshëm për Çairin dhe Shkupin, duke pasur parasysh gjendjen e librit, situatën aktuale dhe gjithçka që lidhet me leximin dhe librin në përgjithësi”, tha Murtezi.
Ai shtoi se kjo ngjarje kulturore, e cila është pjesë e Verës Kulturore të Çairit, pritet të zgjojë interes të madh te lexuesit dhe publiku.
“Besojmë se do të jetë një ngjarje madhështore dhe një mundësi e mirë që lexuesit dhe dashamirët e librit, në një vend të veçantë si Sheshi Skënderbeu, të takohen me dhjetëra botues dhe të kenë para vetes mijëra tituj”, theksoi Murtezi.
Drejtoresha ekzekutive e Institutit të Librit dhe Promocionit nga Tirana, Irena Toçi, njëherësh bashkorganizatore e panairit, tha se kjo ngjarje është ndër aktivitetet më të rëndësishme kulturore që instituti ka zhvilluar.
“Ky panair, për ne, do të mbetet në historinë e aktiviteteve kulturore si një nga më të rëndësishmit. Do të marrin pjesë botuesit më të mëdhenj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Entuziazmi i tyre ishte i dukshëm që në momentin kur i njoftuam se do të bëhemi bashkë këtu, në sheshin e Shkupit, për të folur në gjuhën tonë të bukur shqipe”, tha Toçi.
Ajo njoftoi se gjatë ditëve të panairit do të ketë aktivitete të shumta kulturore, promovime librash dhe takime me autorë shqiptarë nga të gjitha trevat.
“Çdo ditë dhe çdo orë do të ketë nga një aktivitet të ri. Pas ceremonisë së hapjes do të vazhdohet me prezantime të librave të rinj të autorëve shqiptarë nga rajoni. Në ditën e fundit do të mbahet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare të panairit. Këtë vit kemi paraparë pesë çmime vlerësuese për letërsinë shqipe të zhvilluar gjatë vitit 2025”, deklaroi Toçi.
Botuesi Fatmir Toçi, drejtues i shtëpisë botuese “Toena” dhe themelues i Institutit të Librit dhe Promocionit, tha se prej vitesh është bërë përpjekje që edhe Shkupi të bëhet pjesë e hartës së panaireve të librit në botën shqiptare.
“Prej vitesh po përpiqemi që edhe Shkupi të hyjë në hartën e organizimeve të panaireve të librit të botës shqiptare, ashtu siç është panairi i librit në Tiranë, në Kosovë apo në Ulqin. Na ka munguar ky event këtu”, tha Toçi.
Ai bëri thirrje që shkollat, të rinjtë dhe dashamirët e librit të jenë pjesë e panairit.
“Na kishte munguar edhe libri shqip në Shkup. Prandaj u bëj thirrje të gjitha shkollave, të rinjve dhe dashamirëve të librit që këto ditë të jenë këtu”, theksoi Toçi.
Me pjesëmarrjen e botuesve nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, “Panairi i Librit Shqip, Shkup 2026” synon të vendosë një traditë të re kulturore në kryeqytet dhe ta rikthejë librin shqip në vëmendjen e qytetarëve.