Nesër në Gostivar mbahet për herë të parë Festivali i Këngës Qytetare “Goca e Tivarit”
Në Gostivar organizohet për herë të parë Festivali i Këngës Qytetare “Goca e Tivarit”. Ky festival do të mbahet nesër më (8 nëntor) me fillim nga ora 20:00 në Qendrën për Kulturë në Gostivar, njofton Portalb.mk.
Në këtë edicion do të marrin pjesë Shoqëria Kulturore Artistike “Xheladin Zeqiri” Tetovë, me këngëtarët: Leotrim Zejnullahu, Anita Aziri, Rilind Alimani, Melisa Loki, Vëllezërit Sejdiu dhe Elita Ziberi. Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” Kumanovë me këngëtarët: Lindita Purellku, Nuredin Fetahu, Qerim Hamidi, dhe nga Orkestra e Qendrës për Kulturë do të prezentohen: Fisnik Ristemi, Betime Zylali, Fadbi Ilazi, Premtim Nuhiu, Saranda Imeri dhe Shpresim Zylbeari.
Armend Stafai njëri ndër organizatorët e këtij festivali për Portalb.mk tha se synimi i tyre, është që ta fillojnë këtë festival, dhe viteve të tjera ta zgjerojnë edhe më shumë, të kenë përkrahje më të madhe institucionale për ta zgjeru edhe më shumë.
“Qëllimi i këtij festivali është ta kthejmë muzikën e mirë popullore shqipe, që rinia me gjithë qytetarët tanë, të kenë qasje, të dëgjojnë muzikë të mirë. Të gjithë e dimë në cilën kohë jetojmë, ku teknologjia e ka bërë punën e vet, rinia pak ka devijuar, shpresoj që ti kthehemi muzikës tonë tradicionale shqiptare” tha Armend Stafai.
Ai edhe më tej shtoi se “interesimi ka qenë shumë i madhë mirëpo për shkak të kushteve nuk kemi pasur mundësi që të zgjerohemi më shumë”.
Këtë projekt e realizon Qendra për Kulturë në Gostivar dhe u përkrah nga Ministria e Kulturës e RMV-së, Komuna e Gostivarit ndërsa kanë ndihmuar edhe vullnetarë nga artdashës e traditave tona shqiptare.