Nëntori në festë: Qendra e Kulturës Tetovë me agjendë të ngjeshur

Qendra e Kulturës në Tetovë, nën moton “Nëntori në festë”, ka publikuar kalendarin kulturor për festat e nëntorit 2025. Programi i këtij viti sjell një sërë aktivitetesh artistike dhe kulturore për publikun e gjerë nga ekspozita dhe koncerte. Të gjitha ngjarjet janë konceptuar për të ofruar përvojë sa më të pasur dhe gjithëpërfshirëse, duke e shndërruar muajin nëntor në një festë të vërtetë të artit dhe kulturës në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Programi fillon me hapjen e ekspozitës “Pa titull” që do të mbahet më 20 nëntor, ku do të marrin pjesë 20 artistë nga vendi dhe rajoni.

21 nëntor, në orën 20:00, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë koncertin e vitit të titulluar “Parfumi”, me interpretimin të artistëve të mëdhenj Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka, që do të përcillen nga orkestrina Gent Rushi Band, projekt ky i mbështetur nga ministria e Kulturës dhe Turizmit.

datën 22 nëntor, do të mbahet koncerti “Jehojnë shkronjat tona” në bashkëpunim me SHKA Jehona e Malësisë së Sharrit, ndërsa më 23 nëntor, në orën 19:00, skena e Tetovës gjallërohet me koncertin “Rok përrallë në vjeshtë”.

Java vijon me koncert klasik më 24 nëntor, në orën 19:00, me programin “Tinguj vjeshte”, këto dy koncerte që do të realizohen në Sallën e arteve të Universitetit të Tetovës në objektin e Qendrës së Kulturës, po ashtu aktivitete të mbështetura nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

Ndërkohë, më 26 nëntor, në orën 19:00, pritet të performojë Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve, duke sjellë traditën dhe folklorin shqiptar në skenë.

28 nëntor, nder të Ditës së Flamurit, do të organizohet manifestim për fëmijë me titull “Festo 28 Nëntorin”, duke filluar nga ora 13:00, ku Qendra e Kulturës do të promovojë publikisht edhe korin e fëmijëve, nën dirigjimin e Anita Alii, si dhe do të performojnë shumë fëmijë me këngë, valle, muzikë dhe vallëzim modern, bëjnë të ditur nga Qendra për Kulturë.