Në vend të studentëve, vauçerët për turizëm sërish te punëtorët me të ardhura të ulëta

Ministria e Ekonomisë njoftoi sot se do të ndajë vauçerë-vërtetime për pushime për turizmin vendor për punëtorët me të ardhura të ulëta. Për këtë masë, e cila për katër vite i përfshin punëtorët me të ardhura të ulëta, paraprakisht ishte paralajmëruar se këtë vit do të ndahej për studentët që vijnë nga familje të rrezikuara sociale, por Ministria ndryshoi mendje, transmeton Portalb.mk.

Thirrja publike do të shpallet të hënën më 12 shkurt, ndërsa vauçerët do të jenë me vlerë prej 18 mijë denarësh, njoftoi sot në një konferencë për media ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Qëllimi kryesor i kësaj mase, tha Bekteshi, është që personave me të ardhura të ulëta t’u mundësohet të shfrytëzojnë pushim vjetor dhe në të njëjtën kohë të ndihmohen qendrat turistike në rritjen e volumit të punës jashtë sezonit turistik.

“Për këtë masë janë siguruar mjete në vlerë prej 64.000.000 denarë (rreth një milion euro), gjegjësisht do të lëshohen gjithsej 3.555 vauçerë për pushime për punëtorët me të ardhura të ulëta. Të drejtën për pjesëmarrje në thirrjen publike kanë të gjithë personat fizikë të cilët janë të punësuar dhe të ardhurat mujore të të cilëve në familje nuk i kalojnë të ardhurat neto prej 50.000 denarë”, tha Bekteshi.

Vauçerët e pushimeve mund të përdoren jashtë sezonit turistik në cilindo nga objektet hotelierike nga Lista e objekteve hotelierike të regjistruara për akomodim, e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Ekonomisë.

Vauçerët mund të përdoren nga momenti i pranimit deri më 30 qershor të këtij viti, dhe nga data 15 shtator deri më 1 dhjetor.

Për këtë masë mund të aplikojnë të gjithë punëtorët me të ardhura të ulëta, ndërsa kërkesat me dokumentacion të plotë dorëzohen në Arkivin e Ministrisë së Ekonomisë, në rr. “Jurij Gagarin” – Shkup, jo më vonë se deri më 29 shkurt.

Përndryshe, më 7 dhjetor të vitit të kaluar, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ai i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri zhvilluan një takim pune me përfaqësues të parlamenteve studentore të disa prej universiteteve shtetërore, për të përcaktuar kriteret sipas të cilave do të ndahen vauçerët për turizëm vendor të cilat tani do t’i marrin punëtorët me të ardhura të ulëta.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës morëm vendim që vitin e ardhshëm kjo masë të jetë e dedikuar vetëm për studentët. Ne duam t’u japim studentëve mundësinë për të vizituar pikat turistike në vend, për të eksploruar potencialin turistik të vendit. Për këtë qëllim në buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë janë paraparë 64 milionë denarë”, tha më 7 dhjetor ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Për momentin nuk është e qartë se cilat janë arsyet që studentët u privuan nga kjo mundësi.