Në tingujt e violinës dhe pianos, Alba Zeqiri dhe Shkëlzen Baftiari me mbrëmje koncertale më 19 janar në Tetovë

Të hënën, më 19 janar, me fillim nga ora 18:30, në ambientet e Shift Center në Tetovë, publiku do të ketë mundësinë të shijojë një mbrëmje të veçantë muzikore me koncert–recital nga violinistja Alba Zeqiri, e shoqëruar në piano nga pianisti Shkëlzen Baftiari, shkruan Portalb.mk.

Violinistja Alba Zeqiri për Portalb.mk tha se ky koncert ka domethënie të shumëfishtë: hap koncertin e saj të parë për vitin 2026 dhe njëkohësisht sjell në skenë repertorin e diplomës së saj, një program të përzgjedhur me kujdes, ku virtuoziteti dhe emocioni i violinës bashkohen në një rrëfim të vetëm artistik.

”Koncerti në Tetovë ka për mua një domethënie të shumëfishtë, si në aspektin artistik ashtu edhe në atë profesional. Para së gjithash, ky recital shënon koncertin tim të parë për vitin 2026, duke hapur një kapitull të ri të angazhimeve të mia koncertale. Njëkohësisht, ai përfaqëson një moment kyç në rrugëtimin tim akademik, pasi repertori që do të interpretoj është pjesë e provimit tim të diplomës. Programi muzikor është përzgjedhur me shumë kujdes dhe është ndërtuar si një reflektim i formimit tim artistik dhe akademik. Kam synuar të krijoj një balancë mes kërkesave teknike dhe thellësisë interpretative, duke përfshirë vepra që pasqyrojnë stile dhe epoka të ndryshme të muzikës klasike. Ky repertor më lejon të shpreh jo vetëm anën virtuozë të violinës, por edhe dimensionin e saj emocional dhe ekspresiv. Po ashtu, fakti që ky program do të interpretohet edhe në provimin e diplomës e bën atë veçanërisht të rëndësishëm dhe përfaqësues të nivelit tim aktual artistik. Mesazhi kryesor që dëshiroj t’ia përcjell publikut është se muzika klasike mbetet një gjuhë universale, e cila i kapërcen kufijtë e kohës dhe hapësirës dhe flet drejtpërdrejt me emocionet njerëzore. Përmes këtij koncerti, synoj të krijoj një komunikim të sinqertë me publikun, ku çdo vepër të përjetohet si një rrëfim i veçantë artistik”, tha Zeqiri.

Ajo shtoi se Sonata e Vllastimir Nikollovskit e sfidon dhe e frymëzon të eksperimentojë, ndërsa të rinjve u thotë të kenë: përkushtim, durim, disiplinë dhe mos të humbin kurrë dashurinë për muzikën.

“Po, një nga veprat që e interpretoj me emocion të veçantë është Sonata për violinë e Vllastimir Nikollovskit, një vepër bashkëkohore që përbën një sfidë të rëndësishme artistike për mua. Më pëlqen të eksperimentoj në interpretim dhe të eksploroj vazhdimisht forma të reja shprehjeje muzikore, ndërsa kjo sonatë i përshtatet shumë mirë stilit tim interpretativ, pikërisht për shkak të kompleksitetit dhe strukturës së saj të ndërlikuar. Të rinjve që dëshirojnë të ndjekin rrugën e muzikës klasike do t’u këshilloja para së gjithash përkushtim, durim dhe disiplinë të vazhdueshme. Muzika klasike kërkon punë të pandërprerë dhe një angazhim afatgjatë, por njëkohësisht ofron kënaqësi dhe përmbushje të thellë shpirtërore. Është shumë e rëndësishme të besojnë në veten e tyre, të jenë të hapur ndaj mësimit dhe kritikës profesionale, si dhe të mos e humbasin kurrë dashurinë për muzikën, sepse ajo është forca kryesore që i mban artistët të motivuar dhe të qëndrueshëm në këtë rrugë”, tha Zeqiri.

Afishja e koncertit. Foto: Alba Zeqiri
Afishja e koncertit. Foto: Alba Zeqiri