Në Tetovë u ekspozuan vizatimet e krijuara nga fëmijët me nevoja të posaçme
Sot në hapësirat e SH.F.K. “Liria” në Tetovë, u ekspozuan vizatimet e krijuara nga fëmijët me nevoja të posaçme, realizuar në kuadër të punëtorisë së artit “Edhe ne jemi artistë,” kuruar nga Behar Ferati, njofton Portalb.mk.
Behar Ferati tha se kjo ekspozitë përfaqëson një hapësirë krijuese që synon të nxjerrë në pah talentin dhe potencialin e fëmijëve me nevoja të posaçme, duke i dhënë atyre një zë përmes artit dhe kreativitetit.
“Punëtoria “Edhe ne jemi artistë” është një festë e talentit, kreativitetit dhe pasionit të këtyre fëmijëve. Përmes veprave të tyre, ata na ftojnë të ndalemi dhe të shohim botën përmes syve të tyre-një botë e mbushur me ngjyra, emocione dhe forcë shpirtërore të jashtëzakonshme. Çdo punim na kujton se secili prej nesh është unik dhe se aftësia për të frymëzuar të tjerët buron nga zemra dhe shpirti”,tha Ferati.
Drejtoresha e I.N. Galeria e Arteve Tetovë Arbenita Meta theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, tashmë gjashtë vite me radhë, i cili synon ndërtimin e një shoqërie më të hapur dhe të barabartë.
“Ky projekt është një shembull i fuqisë së artit për të ndryshuar perceptimet dhe për të ndërtuar ura të reja mes njerëzve. Jemi krenarë që kemi mundësinë të ndihmojmë këta fëmijë të shfaqin dhuntitë e tyre të jashtëzakonshme”, tha Meta.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe drejtoresha e SH.F.K. “Liria” Tetovë Farije Idrizi Kasami, e cila përgëzoi dhe falënderoi I.N. Galeria e Arteve Tetovë për bashkëpunimin e frytshëm dhe realizimin e këtij projekti të veçantë.
Ky projekt kulturo-social, tashmë tradicional, i realizuar si pjesë e planit vjetor të I.N. Galeria e Arteve Tetovë, u zhvillua për pesë ditë, gjatë të cilave fëmijët morën pajisje për vizatim si pëlhura për pikturim, çanta, ngjyra dhe dhurata të tjera.
Punëtoria, e mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, realizohet prej gjashtë vitesh në bashkëpunim me SH.F.K. “Liria” Tetovë. Ajo ka për qëllim eliminimin e paragjykimeve dhe inkurajimin e fëmijëve me nevoja të posaçme që të ndihen artistë dhe pjesë e botës së artit pamor.
Punëtoria “Edhe ne jemi artistë” u përmbyll me një ekspozitë, ku u prezantuan punimet e realizuara nga fëmijët gjatë këtij projekti pesëditor.