Në Ditën e Punëtorëve në Prishtinë do të shfaqet filmi ‘Krahët e Punëtorëve’, së shpejti pritet të jepet edhe në Maqedoninë e Veriut

Sot me rastin e 1 Majit, Ditës së Punëtorëve, në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë me fillim nga ora 20:00 do të shfaqet filmi “Krahët e Punëtorëve” nën regji të Ilir Hasanaj, shkruan Portalb.mk.

Regjisori Ilir Hasanaj për Portalb.mk tha se filmi tregon historinë e punëtorëve që janë aksidentuar në vendin e punës.

“Filmi tregon tre punëtorë të cilët janë aksidentuar në vendin e punës dhe kanë pësuar lëndime shumë të rënda-afër vdekjes. Këta punëtorë kanë pasur fatin që nuk e humbën jetën, por një numër i dukshëm, ndoshta, nuk ka këtë fat dhe vdesin, siç reflektojnë hulumtimet në këtë temë. Dokumentari i shkurtër pasqyron shtypjen e punëtorëve nga afër në një sistem kapitalist të egër, i cili nuk njeh individë, por vetëm numra”, tha Hasanaj.

Ai theksoi se çdo person që ka qenë pjesë e filmit ka dhënë më të mirën e mundshme dhe kjo energji e bashkuar e ka bërë filmin unik.

“Krahët e Punëtorëve e ka ndjekur vizionin që audienca të ndjejë filmin, jo ta shpjegojë atë. Personazhet dhe tregimet e tyre janë të jashtëzakonshme, të sinqerta dhe të treguara në mënyrë poetike. Në përmbledhje, filmi po veçohet sepse secili që e sheh atë e përjeton dhe ndan emocionet e jetës së punëtorëve. Çdo person që ka qenë pjesë e filmit, ka dhënë më të mirën e mundshme dhe kjo energji e bashkuar e ka bërë filmin unik. Unë jam shumë i lumtur që këto cilësi po vlerësohen në festivale anembanë botës dhe dua të falënderoj gjithë ekipin për këtë pasion të jashtëzakonshëm”, tha Hasanaj.

‘Krahët e Punëtorëve’. Foto: Ilir Hasanaj
‘Krahët e Punëtorëve’. Foto: Ilir Hasanaj

Hasanaj edhe më tej shtoi se ky film është punuar për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të treguar se gjendja duhet të ndryshojë.

“Nëse të drejtat e punëtorëve do të ishin respektuar, ky film nuk do të ishte bërë. Ky film është realizuar për të ngritur ndërgjegjësimin dhe për të treguar që gjendja duhet të ndryshojë. Nga fillimi i vitit 2025 deri në prill kanë vdekur nëntë punëtorë në vendin e punës, sipas statistikave, mirëpo numri real pritet të jetë më i lartë. Unë shpresoj dhe kërkoj që numri i vdekjeve në vendin e punës të zvogëlohet dhe të bëhet zero. Nëse kjo ndodh për shkak të filmit tonë apo jo, nuk ka rëndësi. Më e rëndësishme është që punëtorët të mos vdesin në vendin e punës, dhe kjo do të thotë se duhet të respektohen të drejtat e punëtorëve”, tha Hasanaj.

Ne jetojmë në kapitalizëm të egër dhe shumica e punëtorëve jetojnë në kushte shumë të vështira, duke punuar për një kafshatë buke, tha Hasnaj.

“Kjo është e pandashme. Puna që nuk çmohet është e lidhur me punëtorin që nuk vlerësohet. Ne jetojmë në kapitalizëm të egër dhe shumica e punëtorëve jetojnë në kushte shumë të vështira, duke punuar për një kafshatë buke. Siç thotë Milazimi në film për ëndrrën e tij: “Ëndrra është të përparosh, të bësh më mirë, por kur nuk mundesh, nuk mundesh.” Ky film është një mënyrë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut me shpresën që të krijojmë më shumë presion për të shtyrë ndryshimin më shpejt, për të mirën e punëtorëve”, tha Hasanaj.

Filmi “Krahët e Punëtorëve” pritet që të shfaqet së shpejti edhe në Maqedoninë e Veriut, tha Hasanaj.

“Jam në bisedime me disa festivale, dhe duket se do vjen së shpejti, por endea nuk kam konfirmim”, tha Hasanaj.