Muzeu Virtual i Tetovës, një dritare që ndriçon dhe promovon trashëgiminë kulturore e shpirtërore të qytetit

Organizata “HUTA” në Tetovë e njohur ndryshe si Muzeu Virtual i Tetovës, për çdo ditë promovon trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të qytetit, Kjo nismë lindi si reagim ndaj neglizhencës së institucioneve shtetërore për të përfshirë historinë shqiptare të Tetovës në muzeumet dhe arkivat lokale, duke synuar të nxjerrim në pah një trashëgimi të pasur që për shumë kohë mbeti në hije.

Luisa Residi anëtare e organizatës “Huta”, për Portalb.mk tha se misioni i organizatës është mbrojtja e trashëgimisë sonë shqiptare.

“Misioni i organizatës HUTA është mbrojtja e trashëgimisë kulturore, promovimi i historisë dhe kulturës shqiptare, përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve nëpër institucionet kulturore, një muze të mirëfilltë të qytetit. Vazhdimit është anashkaluar kultura dhe historia shqiptare në një muze të qytetit me shumicë shqiptare dhe kjo problematikë na shtyu drejt hapjes së organizatës HUTA”, tha Residi.

Fotografi nga Panorama e Qendrës së Tetovës në vitin 1930. Foto: Luisa Residi
Fotografi nga Panorama e Qendrës së Tetovës në vitin 1930. Foto: Luisa Residi

⁠Ajo shti se kanë promovuar vazhdimisht trashëgiminë kulturore, por hapa konkrete për të mbrojtur ndonjë trashëgimi të paluajtshme kulturore nuk kanë bërë, pasi që për atë kërkohet leje e posaçme nga Ministria e Kulturës.

“Leje që e kemi kërkuar disa herë por nuk e kemi marrë, pasi që jo çdokush mund të bëjë restaurime apo konservime. Ne si shoqatë kemi alarmuar vazhdimisht dhe monitorojmë vazhdimisht gjendjen e monumenteve kulturore dhe bëjmë apel dhe kërkesa nëpër institucionet përkatëse që ato të ndërmarrin diçka”, tha Residi.

Organizata “Huta” deri më tani posedon diku te 50 dokumente historike, dokumente që i kanë hulumtuar dhe i kanë gjetur vetë, dokumente të cilat ua kanë dërguar ndjekësit. Përkrah punës që bëjnë kjo organizatë ka problem me buxhetin vjetor.

“⁠Muzeu i Tetovës ballafaqohet me një hapësirë muzeore ku do të shfaqen artëfaktet e Tetovës, me bife, me zyra adekuata, dhe krejt kjo vjen edhe si mungesë e buxhetit që i lëshohet Muzeut të Tetovës nga Ministria e Kulturës, tha Residi.

Tetovë 1930. Kjo fotografi është shkrepur për nga ana e Xhamisë së Sahatit, ndërsa para Xhamisë është Medreseja e Xhamisë së Sahatit. Kulla e Sahatit nuk është në fotografi pasi që e njeta u rrënua në vitin 1925. Foto: Luisa Residi
Tetovë 1930. Kjo fotografi është shkrepur për nga ana e Xhamisë së Sahatit, ndërsa para Xhamisë është Medreseja e Xhamisë së Sahatit. Kulla e Sahatit nuk është në fotografi pasi që e njeta u rrënua në vitin 1925. Foto: Luisa Residi

Residi edhe më tej shtoi se kanë bashkëpunime me institucione të ndryshme në vend dhe jashtë vendit.

“⁠Bashkëpunimet tona janë me Bashkësinë Evropiane projekti që kemi pasur me emrin EU4CR, bashkëpunim kemi rregullisht me shoqatat tjera të Tetovës, me institucionet etj”, tha Residi.

Tetovë 1930 Qendër. Foto: Luisa Residi
Tetovë 1930 Qendër. Foto: Luisa Residi

Gjatë kohës në vazhdim nga kjo organizatë kanë paraparë projekte të ndryshme.

“Në planë kemi hapjen e Muzeut të Halim Derallës, për këtë jemi në komunikim me Komunën por edhe me Universitetin, për ta parë se si mund ta realizojmë këtë më së miri. Hapja e një hapësire të muzeut tone, për të cilën kemi nevojë për fonde, organizimi përsëri i një filmi të vjetër, pastrim të monumenteve kulturore etj”, theksoi Residi.

Organizata jo-qeveritare “HUTA” u themelua në dhjetor të vitit 2020 si nismë qytetare me emrin Muzeu Virtual i Tetovës, për të ndriçuar dhe promovuar trashëgiminë kulturore e shpirtërore të Tetovës.

Në maj të vitit 2022 “HUTA” u regjistrua zyrtarisht si organizatë jo-qeveritare në Maqedoninë e Veriut.

Emri Huta është frymëzuar nga lloji më i njohur i pushkëve të prodhuara në Tetovë gjatë kohës së Perandorisë Osmane-një simbol i mjeshtërisë dhe historisë sonë të pasur.