MPJ e RMV-së: Dënojmë ashpër sulmin izraelit në Gaza

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut përmes një komunikate tha se e dënon ashpër sulmin izraelit në Gaza, që mori jetën e shumë njerëzve të pafajshëm teksa prisnin ushqim rreth maunave me ushqime humanitare, raporton Portalb.mk.

MPJ thekson se akti i tillë paraqet shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.

“Bëjmë thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe dërgimin e papenguar të ndihmave humanitare. Respektimi i të drejtës ndërkombëtare dhe humanitare është prioritet, ndërsa civilët duhet të mbrohen me çdo kusht”, thekson MPJ.

Si pasojë e sulmeve izraelite në Gaza, dje u vranë mbi 100 persona dhe u plagosën mbi 270 të tjerë të cilët ishin mbledhur për të marrë ndihma humanitare.

Izraeli, në sulmet ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori vrau të paktën 30.035 palestinezë, përfshirë 12.230 fëmijë e 8.860 gra, ndërsa plagosi 70.457 të tjerë.