MPB ka bërë kallëzim penal ndaj gazetarit Furkan Saliu me arsyetimin se pengoi policët në kryerjen e veprimtarisë zyrtare

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) për 360 Gradë konfirmoi se sot ka bërë kallëzim penal kundër gazetarit të ‘PortaliX’, Furkan Saliu, për veprën penale ‘pengim i zyrtarit në kryerjen e veprimtarisë zyrtare’, transmeton Portalb.mk.

Ministria ka njoftuar se se përveç Saliut kallëzim penal për të njëjtën vepër është bërë edhe ndaj një personi me iniciale N.J.

“Ju informojmë se pas dokumentimit të plotë të ngjarjes për të cilën pyesni, më 11.04.2024, nga Njësia për Krime të Dhunshme në SPB Shkup në Prokurorinë Publike Shkup është bërë kallëzim penal kundër personave N.J. dhe F.S. për veprën penale ‘pengimi i personit zyrtar në kryerjen e veprimtarisë zyrtare’ nga neni 382 i Kodit Penal”, tha MPB.

Gazetari Saliu përmes një reagimi në Facebook ka shkruar se është i informuar për këtë kallëzim penal.

“Me shumë gjasa do të kërkohet leje për bastisje në zyrat e PortaliX dhe në shtëpinë time. Veprën nuk besoj që do ta dëshmojnë por puna e PortaliX do të pamundësohet në një periudhë të caktuar”, tha Saliu.

Ai apeloi te të gjithë institucionet relevante ndërkombëtare që me vëmendje të plotë të ndjekin se si do të zhvillohet e gjithë situata.

Me 7 prill 2024, gazetari Furkan Saliu u arrestua nga Policia e Maqedonisë së Veriut. Sipas policisë, për shkak se gjatë një ndeshjeje futbolli ai u përfshi në një përleshje dhe sulmoi policët. Por, Saliu e mohoi këtë duke thënë se policia duhet ta dëshmojë me fakte këtë. Gazetari e ka cilësuar këtë si rast të planifikuar nga VMRO-DPMNE-ja e cila në qeverinë teknike udhëheq me Ministrinë e Brendshme. Saliu u lirua nga stacioni policor disa orë pas arrestimit të tij.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë , Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik si dhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive (ASHMAA) apeluan që çështja të zbardhet menjëherë, dhe partitë politike të mos e përdorin për qëllime partiake të fushatës zgjedhore.

Shumë gazetarë arrestimin e Saliut e kanë cilësuar si sulm ndaj fjalës së lirë dhe kritikës.

Për këtë rast reaguan edhe partitë politike, politikanë dhe funksionarë të ndryshëm.