Më shumë se gjysma e radiove dhe televizioneve kanë pasur një sponsor politik kryesor

Teza për ndarjen e mediave në “tonat” dhe “tuajat” rri pezull vazhdimisht mbi skenën mediatike në Maqedoni, ndërsa një pjesë e madhe e mediave publike shpesh përballen me etiketime se janë të prirura ndaj një partie politike, apo ndaj një tjetre. Këto etiketime zakonisht bëhen në bazë të raportimit, përzgjedhjes të të ftuarve në emisione ose sipas kritereve të tjera përmbajtjesore, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Por ka edhe situata kur lidhjet media-parti nuk janë vetëm çështje përshtypjesh, por bëhen evidente. Një nga ato situata është edhe reklamimi parazgjedhor i partive politike, sidomos pas mbulimit të shpenzimeve nga shteti, me çrast liderët e partive janë ata që vendosin se kujt do t’i japin nga sekondat që u janë ndarë, e me këtë edhe kush sa para do të marrë më pas nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Raporti i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA), për fushatën për zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat u mbajtën më 8 maj, tregon se 35 nga 68 radio dhe televizionet që janë regjistruar për të transmetuar reklama parazgjedhore, pra më shumë se gjysma, kanë reklamuar ose vetëm një parti, ose më shumë, por një ka dominuar duke zënë mbi 60 përqind të hapësirës reklamuese. Më saktësisht – 18 media kanë marrë vetëm një reklamues nga partitë pjesëmarrëse në zgjedhje, ndërsa 17 kanë pasur një reklamues dominant.

Tek transmetuesit e tjerë situata ka qenë praktikisht më e balancuar, por pothuajse në të gjithë vihet re një disbalancë etnike dhe gjuhësore. Partitë të cilat ju drejtoheshin votuesve të përkatësisë etnike maqedonase ishin më të pranishme me reklama në mediat në gjuhën maqedonase, ndërsa ato që kërkuan votat e shqiptarëve më së shumti reklamuan në media me program në gjuhën shqipe.

Analiza e të dhënave të publikuara nga ASHMAA tregon se dominimi i një partie në reklamat zgjedhore vihet re në televizionet dhe radiot në të gjitha nivelet, nga ai shtetëror në atë lokal. Por sa më poshtë që shkohet, aq më e theksuar është kjo gjë, aq më e theksuar është.

Kështu, nga 11 televizionet e regjistruara që transmetojnë programe në mbarë vendin (pesë tokësore dhe gjashtë satelitore), dy kanë marrë reklama ekskluzivisht nga një parti – Alfa nga VMRO-DPMNE-ja dhe Nasha TV nga LSDM-ja. Në anën tjetër TV Klan mbi 80 përqind të reklamave i ka marrë nga BDI-ja, ndërsa pjesën tjetër nga LSDM-ja. Nga katër radiot kombëtare, Jon është e vetmja radio e dominuar nga një parti, BDI-ja, me mbi 60 përqind të reklamave.

Në dy nga 15 televizionet rajonale dhe në katër nga 10 radiot rajonale është evidentuar reklamim qind për qind i një partie. Nga ana tjetër, në katër stacione televizive në nivel rajonal janë evidentuar reklamues që kanë marrë 60 deri në 80 përqind të hapësirës.

Në nivel lokal vetëm tre nga 13 stacionet televizive që janë regjistruar kanë pasur një ndarje më të ekuilibruar të hapësirës reklamuese. Katër kanë marrë reklama nga një reklamues i vetëm, ndërsa gjashtë kanë pasur reklama pothuajse të një partie. Shkallë më e lartë e reklamimit të njëanshëm mund të shihet tek radiostacionet lokale – pesë nga 15 kanë marrë reklama vetëm nga një parti, ndërsa tek katër të tjerë, njëri ka transmetuar shumë më shumë reklama se të tjerët.

VMRO-DPMNE-ja si reklamues i vetëm figuron tek gjithsej 10 transmetues të regjistruar për zgjedhjet, ndërsa LSDM-ja dhe BDI-ja ty dyja tek nga katër. LSDM-ja dhe koalicioni “VLEN” kanë qenë reklamues dominant në pesë media, VMRO-DPMNE-ja në katër dhe BDI-ja në tre.

Nëse të dhënat shihem nga një këndvështrim tjetër, pra nëse analizohet se në cilat televizione nacionale partitë kanë ndarë më së shumti reklama (pavarësisht nëse ajo media ka publikuar vetëm reklamat e tyre apo edhe të partive të tjera), vihet re se LSDM-ja i ka publikuar pothuajse gjysmat e reklamave të saj në Kanal 5 dhe në TV 24, ndërsa VMRO-DPMNE-ja kekun e ka ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë mes televizioneve Alfa, Kanal 5 dhe Sitel, me copa më të vogla edhe për të tjerët.

BDI-ja më shumë se një të tretën e kohës e ka ndarë për TV Klan, ndërsa pak më pak për Alsat-M dhe TV 21, ndërsa koalicioni “VLEN” pjesën më të madhe (mbi 50 përqind) ia ka ndarë televizionit Alsat M, rreth një të tretën TV 21 e më pak për TV Shenja.

Më shumë se gjysmën e reklamave E Majta i ka dhënë në Sitel, ndërsa një të tretën në TV 24, ndërsa ZNAM ka reklamuar më së shumti në Kanal 5, ndërsa pak më pak në Telma dhe TV 24.

Kujtojmë se Televizioni Alsat ishte rekorder për fitime nga reklamat e paguara politike nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale me 22 milionë denarë ose rreth 358.000 euro. Pason Sitel me 333,340 euro dhe Kanal 5 me 302,440 euro. Në bazë të raporteve të publikuara, Kanal 77 ka llogaritur se të tre televizionet së bashku kanë fituar 993.503 euro, që është pothuajse gjysma e fitimeve të 37 stacioneve televizive dhe 27 radiove, të cilat raportuan në AShMAA se kishin paguar reklama politike.