Mbaroi takimi Arsovska – Miskoski për kaosin në Shkup, Perinski: Tani jemi më të shqetësuar se para takimit

Situata në Qytetin e Shkupit është dëshpëruese, ndërsa kryetarja e Shkupit Danella Arsovska deri në fund të javës do të përgatisë një plan për zgjidhjen e kaosit. Kështu mes tjerash u shprehën nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut pas takimit të kryetares së Qytetit të Shkupit me kryeministrin e vendit, raporton Portalb.mk.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski në një konferencë për shtyp tha se kanë arritur në përfundimin se Arsovska duhet të përgatisë një plan dhe të shohin se cilat janë nevojat për zgjidhjen e situatës.

“Pritshmëritë tona si Qeveri ishin se do të dëgjonim nga qyteti ndonjë plan apo disa nevoja reale që ne si Qeveri mund të ndihmonim në realizimin e atij plani. Por ne nuk dëgjuam asgjë konstruktive nga ana e tyre”, tha Perinski.

Ai tha se gjendja në qytet dhe në ndërmarrjet publike është dëshpëruese.

“Mungesa e komunikimit ndërmjet grupeve të këshilltarëve brenda Qytetit të Shkupit është një nga pengesat për realizimin e projekteve. Prandaj kryetarja sugjeroi që deri në fund të kësaj jave të hartojë një lloj plani që para së gjithash do t’u prezantohet këshilltarëve të Këshillit të Qytetit të Shkupit, edhe pse pritjet tona nuk janë të mëdha”, tha Perinski.

Ai tha se do të presin se çfarë lloj plani do të marrin nga Arsovska dhe më pas do të nxjerrin konkluzione se si mund të ndihmojë Qeveria.

“Në mënyrë të veçantë u diskutua për dy ndërmarrje publike, një ndërmarrje publike është Higjiena Komunale ku problemin e konsiderojmë si më akut për momentin. Dhe kompania e dytë publike që diskutuam është NTP, sepse ne si qeveri besojmë se për dhjetë ditë do të kemi një problem shumë më të madh në transportin publik me fillimin e vitit shkollor”, tha Perinski.

Qyteti i Shkupit ka paralajmëruar konferencë për shtyp nesër para dite lidhur me konkluzionet e takimit të sotëm në Qeveri.

Reaguan nga LSDM-ja opozitare, theksojnë se Arsovska, Mickoski dhe Perinski duhet të dalin së bashku në një konferencë për shtyp dhe të thonë se çfarë planifikojnë të bëjnë për problemet me mbeturinat, autobusët dhe gjithë rrëmujën në të cilën po zhytet qyteti.

“LSDM-ja me vite paralajmëron se marrëveshjet e dështuara dhe interesat e biznesit janë arsyeja e vetme pse Mickoski dhe Arsovska u grindën. Ata tani patën mundësinë që përfundimisht t’i kapërcejnë keqkuptimet dhe në këtë periudhë të shkurtër të mbetur deri në zgjedhjet lokale të përmirësojnë sado pak situatën. Por siç duket, sipas asaj që ka bërë të ditur Qeveria, ata as tani nuk kanë arritur të pajtohen për interesat e tyre, kështu që Shkupjanët do të jenë sërish viktima”, thanë nga LSDM.

Takimi i sotëm vjen pasi kryeministri Hristijan Mickoski komentoi çështjen e marrjes së ingerencave të kryetares së qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në seksionin e ndërmarrjeve publike “Higjiena Komunale” dhe “Parqe dhe Gjelbërim”.

Kujtojmë se kryetarët e komunave të Shkupit në mbledhjen koordinuese të 14 gushtit, vendosën që t’i dorëzojnë Qeverisë dhe Ministrisë së Mjedisit propozim që tu merren ingerencat Ndërmarrjeve Publike për Higjienë komunale dhe Parqe dhe gjelbërim.

Tema e marrjes së ingerencave vjen në kushtet e pothuajse mungesës së koordinimit ndërmjet menaxhmentit dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit.

Kryetarja Danella Arsovska akuzon se për kaosin komunal është fajtor Këshilli i Qytetit nën kontrollin e Mickoskit, sepse qëllimisht nuk e votojnë programin e saj për pastërtinë publike, gjë që e bën të pamundur punësimin e 100 punëtorëve shtesë, të cilët më parë e kanë pastruar qytetin 20 vjet.

VMRO-DPMNE tha se e gjithë përgjegjësia dhe kompetenca është në dorën e saj dhe se në vend që të kërkojë fajtorë, ajo duhet t’i rreket punës.

Takimi i sotëm midis Arsovskës dhe Mickoskit është i pari për të cilin opinioni është në dijeni pas ndarjes së “rrugëve” në vitin 2022 midis Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së me mbështetjen e së cilëve ajo u bë kryetare e Shkupit. Ministri aktual i vetëqeverisjes lokale Zllatko Perinski dikur ka ishte drejtor i NP “Ujësjellës Kanalizime” dhe ka qenë drejtori i parë i Ndërmarrjes Publike nga radhët e VMRO-DPMNE-së, të cilin kryetarja Arsovska e shkarkoi nga posti i tij në 2022. Ndërsa pas kësaj, pasuan një sërë shkarkimesh të tjera nga postet e drejtorëve në ndërmarrjet publike dhe pas tensioneve në rritje mes Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së.