Maqedonia e Veriut hapi dyert për dhjetë mijë punëtorë të huaj

Qeveria e Maqedonisë së Veriut solli vendim për një kuotë prej 10.000 leje për punë për shtetasit e huaj për vitin 2026, e cila hyn në fuqi më 16 janar. Nga këto 9.750 leje janë për punësim të rregullt, 200 për të huaj të dërguar, ndërsa 50 për angazhime sezonale. Në kuadër të punësimeve të rregullta 4.500 janë për punëtorë të rinj, ndërsa 5.250 janë për zgjatjen e lejeve tashmë të lëshuara, transmeton Dojçe Vele (DW).

Nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës njoftojnë se përdorimi i kuotës dhe situata në tregun e punës në Мaqedoni do të monitorohet.

Kuota prej 10 mijë punëtorësh të huaj u caktua edhe për vitin 2025 , ndërsa në vitin 2023 gjysma e kuotës prej 5.000 për importin e fuqisë punëtore të huaj u plotësua në muajt e parë të vitit. Vetëm vitin e kaluar Agjencia e Punësimit ka lëshuar ​​8.509 mendime pozitive për lejet e punës, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar 6.128 leje qëndrimi të përkohshme për punëtorët e huaj.

Komuniteti i biznesit ka kohë që kërkon rritje të kuotave, duke paralajmëruar se mungesa e fuqisë punëtore është një problem serioz në ndërtim, industrinë përpunuese, hotelieri dhe tregti.

Rritje prej tre herë e gjysmë brenda pesë viteve

Numri i përgjithshëm i punëtorëve të huaj me leje qëndrimi (6.128 në vitin 2025) është tre herë e gjysmë më i lartë krahasuar me pesë vjet më parë, kur leje morën 1.704 persona. Interes më të madh për punësimin e të huajve ka në ndërtim, industri, hotelieri dhe tregti. Në mesin e vendeve me më shumë punëtorë janë Bangladeshi, Nepali, India, Turqia, Kina dhe Filipinet.

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se si edhe deri më tani nevojë për punëtorë ka në të gjithë sektorët. “Nuk ka përjashtime shtesë – këta janë sektorët e theksuar nga punëdhënësit dhe odat ekonomike”, tha Kryeministri.

Korniza ligjore dhe rritja e kuotave

Qeveria çdo vit përcakton një kuotë të lejeve të punës përmes së cilës e kufizon numrin e të huajve në tregun e punës. Sipas ligjeve kuota nuk mund ta kalojë 5% të popullsisë vendase të punësuar ligjërisht çdo vit. Vitet e fundit sindikatat kanë bërë thirrje për liberalizimin e tregut të punës për t’i rritur kuotat për importin e fuqisë punëtore dhe për t’i eliminuar barrierat që e pengojnë rekrutimin e fuqisë punëtore nga vendet e tjera. Kuota prej 10.000 punëtorësh është një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitin 2023, kur kishte 7.000 leje.

Me ndryshimet në Ligjin për të Huajt nga viti 2024 punëtorët e angazhuar në projekte strategjike mund të marrin leje jashtë kuotës së rregullt, siç është rasti me ndërtimin e korridorit 8 dhe 10D.

Debati mbi azilkërkuesit nga Mbretëria e Bashkuar

Rritja e kuotës po bëhet në një periudhë të debatit mbi pretendimet në mediat britanike se Maqedonia po negocion pranimin e аzilantëve nga Britania e Madhe të cilëve do t’u jepen viza pune. Duke e shpjeguar planin që u ofrohet vendeve në Ballkan, gazetat britanike shkruan se migrantët do të deportoheshin dhe do t’u ofrohej mundësia për të kërkuar azil në Maqedoni, por nuk do të ndaloheshin ose lëvizjet e tyre nuk do të kufizoheshin, që do të thotë se ata do të ishin të lirë të largoheshin nga vendi nëse dëshironin. Ata do të inkurajoheshin të kërkonin azil ose të merrnin viza pune në sektorë me mungesë të lartë, siç është ndërtimi, shkruan mediat britanike.

Qeveria ka mohuar se ekziston një plan i tillë.