Manifestimi “Frymë Vjeshte” vjen nesër në Pallatin e Kulturës në Tetovë

Nesër në Pallatin e Kulturës në Tetovë, me fillim nga ora 19:30 Shoqata për Art dhe Kulturë “Konsonanca” sjellë edicionin e tretë të manifestimit “Frymë vjeshte”. Ky edicion sjellë operën e njohur me përmbajtje mitologjike “Orfeo dhe Euridiçe” në gjuhën italiane e përmbledhur në narracion shqip nga Avni Qahili, njofton Portalb.mk.

Opera do të sjellë ngjarje dramatike të gërshetuara me momente dëshpërimi, vuajtje e optimizmi për të dhënë mesazhe të fuqishme të triumfit të dashurisë dhe jetës mbi urrejtjen dhe vdekjen.

Kjo shfaqje vjen si superproduksion i kohës shoqëruar me pamje dhe projeksione në mes reales dhe fantastikes punuar nga regjisori i Teatrit të Operës së Shkupit Trajko Jordanovski.

Kjo temë e dashurisë dhe urrejtjes, vuajtjes dhe gëzimit vjen përmes roleve të Orfeut që e interpreton Besiana Mehmedi – mezosoprano, Euridiçe që e interpreton Dajana Malollari – soprano dhe Amore që e interpreton Katica Mishevska – soprano, si dhe pianisti dhe realizatori i projektit Shkëlzen Baftiari.

Hyrja është e lirë dhe e hapur për të gjithë adhuruesit e muzikës klasike.