Makiaveli në agjendat politike bashkëkohore

Përderisa liderët e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të përsërisin se janë të gatshëm për integrim në Bashkimin Evropian (BE), disa shtete që kanë çështje të hapura me vendet fqinjë ende veprojnë në bazë të një mentaliteti të vjetër në problemet ndërshtetërore dhe të brendshme. Koncepte të tilla kanë ndikuar në procesin e vendimmarrjes tek zyrtarët qeveritarë me theks në zgjidhjen e çështjeve të vjetra. Edhe pse kanë kaluar mbi tre dekada që kur blloku socialist u shpërbë, vështirësitë në qeverisje të mirë dhe mirëkuptim reciprok në mes shteteve mbesin sfidat kryesore të qeverive aktuale.

Nga ana tjetër, të ecësh përpara me një grup liderësh që nuk ndryshojnë është tepër sfiduese po ashtu. BE dhe bota demokratike do ta ketë vështirë të bashkëpunojë me një lidership që pa e kuptuar të kaluarën nuk është në gjendje të shohë të ardhmen. Duke qëndruar me vite në një sistem të ngarkuar me ideologji që nuk kanë prodhuar asgjë, por vetëm dhimbje dhe tragjedi, një lidership i tillë e ka të pamundur të marrë vendime në kohë. Për të ndryshuar qasjen e pushtetarëve ndaj rreziqeve dhe veprimeve, një rol qendror luan shtypi. Andaj në seritë e ardhshme, kohë pas kohe për lexuesit tanë dhe më gjërë do të përpiqemi të ofrojmë analiza dhe vështrime kohezive mbi figurat kryesore politike, duke filluar nga ato të qytetërimit perëndimor dhe jo perëndimor. Në veçanti do të përpiqemi të kuptojmë demokracitë, shtetet jo demokratike dhe natyrisht rolin e institucioneve që nga antikiteti e deri më sot. Gjithashtu do të përqendrohemi në shkollat e mendimit politik që kanë pasur ndikim në çështjet botërore, në BE, SHBA, Rusi, Lindjen e Mesme dhe në Ballkan.

Në analizën e sotme për lexuesit tanë do të sjellim disa aspekte teorike të rolit të lidershipit në procesin e vendimmarrjes e këtu padyshim duhet të përmendim disa personalitete të Evropës që lanë gjurmë në politikë, diplomaci dhe në qeverisje. Le të fillojmë me Mesjetën kur Evropa Perëndimore nuk kishte asnjë orientim dhe asnjë ide se ku po shkonte. Në veçanti këtu është e rëndësishme të shihet roli i mendimtarit dhe diplomatit italian Nikollo Makiaveli (Niccolo di Bernardo dei Machiavelli) në zhvillimin e mendimit politik perëndimor dhe implikimin teorik dhe praktik të sugjerimeve të tija mbi rolin e qeverisë dhe të një udhëheqësi.

Nikollo Makiaveli (1469-27), lindi në Firencë, në një kohë të vështirë për qytet-shtetet rivale të Italisë së përçarë. Në vitin 1494 familja e parë e Firences së quajtur DeMedici u largua nga qyteti, dhe në vitin 1498, Nikollo Makaveli u bë diplomat i Republikës së Firencës. Ai shkruajti disa vepra të rëndësishme mbi mendimin politik perëndimor, duke nisur nga “Diskurset mbi Livin” e deri në librin e tij mbi “Princin”, i shkruar në vitin 1513 dhe i botuar në 1532-tën. Makiaveli në librin “Princi” porosit se “një udhëheqës duhet të sillet me botën dhe realitetin ashtu siç është, në vend se si e dëshiron një udhëheqës të ishte.” Kur i analizon tiparet e princit, sipas Makiavelit ai duhet të jetë i natyrshëm i sjellshëm, i vëmendshëm dhe bujar, por nga ana tjertër këto virtyte mund të dobësojnë pozitën dhe autoritetin.

Më tej Makiaveli, për burrështetasit jep gjithashtu një këshillë mjaft të mirë. “Princi duhet të lexojë histori dhe të studiojë veprimet e njerëzve të shquar, për të parë se si e kanë përballuar veten në luftë, për të shqyrtuar shkaqet e fitoreve dhe disfatës së tyre, në mënyrë që të shmangë të dytën dhe të imitojë të parët.” Pas publikimit të “Princit”, autorë dhe përfaqësues të Kishës Katolike shprehën qëndrime pro dhe kundër ideve të Makiavelit. Kardinali anglez Reginald Pol, në vitin 1539 njoftoi se “Princi” ishte shkruar “nga dora e dreqit”. Ndërsa Zhan Zhak Ruso (Jean Jacques Rousseau) në shek. e 18-të na jep një informatë tjetër se “Makiaveli në fakt po i udhëzonte udhëheqësit se si të siguronin një republikë”. Gjithashtu ai nënvizon se këtë Makiaveli e bën në kuadër të maskës së këshillave të tija për princin e republikës.

Makiaveli në kapitullin e 14-të të librit “Princi” sugjeron se një princ duhet të shfrytëzojë paqen për avantazh ushtarak në të ardhmen. “Duke u përgatitur për luftë në kohë paqeje, princi duhet të jetë gati për sfidat e kohës së luftës kur ajo të vijë në mënyrë të pashmangshme”. “Princi duhet të modelojnë veten sipas heronjve të gjeneratave të mëparshme, duke përdorur sukseset dhe dështimet e tyre që lidhen me vendimmarrjen.” Makiaveli u keqpërdor dhe u interpretua nga politikanët dhe diktatorët për agjendat e tyre gjatë shekujve dhe tani. Dhe nuk besoj se do të ndërpritet. Nga Makiaveli liderët tanë si duket kanë marrë ose kanë përzgjedhur këshillat më të këqija e këtu natyrisht nëse e kanë lexuar ose kanë qenë të ndikuar nga ideologjitë tjera që nisën të përhapen në dy shekujt e fundit. Nuk ka asnjë dyshim se lidershipi i vendeve të Ballkanit vazhdon pa dyshim të jetë i papërgjegjshëm. Lidershipi i llojit ballkanik gëzon shumë pak virtyte nga ajo çka Makiaveli shtron për analizë në “Princin”- duke mos lënë anësh përvojën e tij si këshilltar politik dhe diplomat i Republikës së Firencës. Duhet pranuar se veprat e Makiavelit janë shumë tërheqëse dhe kanë lidhje me të gjithë kohërat dhe të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.

Një artikull nuk mjafton për të analizuar Makiavelin, por mund të përdoret si pikënisje për qasje dhe analiza të mira nga të gjithë të interesuarit për politikën, qeverisjen dhe natyrisht për punët e jashtme. “Princi” i Makiavelit ka 26 kapituj dhe është botuar në gjuhën shqipe dhe në të gjitha gjuhët e botës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.