Mahmud Ahmadinexhad paraqet kandidaturën për president të Iranit

Pas aksidentit me helikopter dhe humbjen e jetës së presidentit iranian Ebrahim Raisi, do të zhvillohen zgjedhje presidenciale më 28 qershor të këtij viti. Mahmud Ahmadinexhad, ish presidenti iranian u regjistrua si kandidat, pavarësisht se udhëheqësi suprem Ajatollah Ali Khamenei e paralajmëroi në vitin 2017 se kjo nuk ishte në interes të vendit, transmeton Zëri Amerikës.

Ish presidenti iranian i vijës së ashpër, Mahmud Ahmadinexhad, u regjistrua për të garuar në zgjedhjet presidenciale të 28 qershorit, që do të mbahen pas vdekjes së Presidentit Ebrahim Raisi në një aksident me helikopter muajin e kaluar. Televizioni shtetëror i Iranit njoftoi të dielën lidhur me regjistrimin në zgjedhje të kandidatit Ahmadinexhad. Megjithatë, atij mund t’i ndalohet e drejta për të konkuruar në zgjedhje.

Këshilli Kushtetues i Iranit, i përbërë nga 12 anëtarë, nën drejtimin e Udhëheqësit Suprem, Khamenei, do të shqyrtojë dhe kontrollojë të dhënat e kandidatëve dhe në 11 qershor do të bëjë publike listën e atyre që plotësojnë kriteret për të garuar në zgjedhje.

Deri tani, Ahmadinexhadi është emri më i njohur që regjistrohet në garë. Duke folur pas regjistrimit, ai u zotua se do të kërkonte “angazhim konstruktiv” me botën dhe përmirësim të marrëdhenieve ekonomike me të gjitha vendet. Ai u zgjodh president i Iranit në 2005 dhe u tërhoq në 2013, për shkak të afateve të përcaktuara për kohëzgjatjen e mbajtjes së mandatit presidencial.

Ai u ndalua nga Këshilli Kushtetues që të kandidonte në zgjedhjet e vitit 2017, një vit pasi Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ali Khamenei e paralajmëroi atë se hyrja në garë nuk ishte “në interesin e tij dhe të vendit”. Marrëdhenit mes tyre u krisën pasi Ahmadinexhadi bëri qartësisht thirrje për të kontrolluar autoritetin e Khameneit.

Në vitin 2018, në një kritikë të rrallë ndaj Khameneit, Ahmadinexhadi i shkroi udhëheqësit Suprem duke bërë thirrje për zgjedhje “të lira”. Khamenei i dha mbështetje Ahmadinexhadit pasi rizgjedhja e tij në vitin 2009 shkaktoi protesta gjatë të cilave u vranë dhjetëra njerëz ndërsa qindra të tjerë u arrestuan, duke tronditur teokracinë në pushtet, përpara se forcat e sigurisë të udhëhequra nga Korpusit i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) të shuante me dhunë trazirat.

LEXO: Humbën jetën presidenti iranian dhe kryediplomati si pasojë e rrëzimit të helikopterit