Magji xhazi nga Elina Duni në Tetovë, një natë që do të kujtohet gjatë
Nata e dytë e Festivalit të Xhazit në Tetovë u mbush me tinguj magjepsës falë performancës së Elina Dunit. Me zërin e saj unik dhe interpretimin plot emocion, këngëtarja me famë ndërkombëtare krijoi një atmosferë të veçantë që i mbërtheu të gjithë të pranishmit. Repertori i saj, i ndërthurur mes motiveve tradicionale ballkanike dhe xhazit modern, u mirëprit me duartrokitje të gjata, duke e shndërruar natën në një përjetim muzikor të paharrueshëm për publikun tetovar, shkruan Portalb.mk.
Elina Duni për Portalb.mk. tha se ndihet shumë e lumtur që u rikthye në Tetovë.
“Është diçka e veçantë, sepse ndonëse kam performuar disa herë këtu, kjo është vetëm hera e dytë që dal në skenë në duo me Rob Luft. Në fakt, koncerti ynë i parë si duo ka qenë pikërisht në Tetovë, para tetë vitesh. Kështu që ky rikthim, pas kaq kohësh, ka për mua një domethënie të veçantë”, tha Duni.
Natën e parë të festivalit performoi bendi AntiSwing me artistët vendas.
Festivali i Xhazit në Tetovë do të vazhdojë edhe sonte në natën e tretë ku do të performojnë Artan Bakija, Markelian Kapidani, & String Quartet.
Ky festival mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e RMV-së, Europe House-Tetovë etj.