Lumi Ibër si armë politike, tensione të reja mes Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë
Tensione të reja në Ballkan. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se do të devijojë rrjedhën e lumit Ibër, i cili buron në Mal të Zi, kalon nëpër Kosovë dhe vazhdon për në Serbi. Po të enjten ai tha se një grup ekspertësh serbë është duke punuar në këtë projekt.
Konventa e OKB-së për Rrjedhat e Ujit e vitit 1997 (UN Watercourses Convention) tregon disa gjera të tjera. Konventa përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në forcimin e ligjit në këtë fushë të marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse kërkon mbrojtjen dhe ruajtjen e rrjedhave ndërkombëtare të ujit. Ndërkohë, Serbia edhe pse nënshkruese e kësaj konvente, mundohet që Ibrin ta përdorë si armë gjeopolitike. Deklaratat e fundit e kanë vënë rajonin nën presion të ri, veçanërisht Kosovën. Qeveria e Kosovës i ka kritikuar deklaratat e tilla. Edhe Shqipëria ka mbajtur një qëndrim, së bashku me BE-në dhe SHBA-në, me opinione për të ulur retorikën e përshkallëzimit. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ferit Hoxha, në një postim në X informoi për shqëtësimet nga njofitmet e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.”Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ndërkufitar ujor nuk është një çështje thjesht e brendshme apo një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat e tij ndikojnë drejtpërdrejt në territorin, mjedisin, sigurinë e ujit, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një vendi tjetër.”
“Shqipëria pret që Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Çdo projekt ose masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë ose cilësinë e ujërave që ndikojnë në Kosovë duhet të trajtohet me transparencë, në bazë të të dhënave shkencore, me një vlerësim të plotë të ndikimeve ndërkufitare dhe përmes konsultimit me palën e prekur. Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik ose si mjet për të ndëshkuar një vend ose popullsi tjetër. Shqipëria mbështet fuqimisht të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të burimeve të saj ujore. Ne besojmë dhe presim fuqimisht që çështje të tilla do të adresohen përmes dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane, jo përmes kërcënimeve ose ndërhyrjeve dhe veprimeve të njëanshme.” nënvizoi ndër të tjera ministri Hoxha në rrjetin X.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”. Për radion Evropa e Lirë një zyrtarë i BE -së ka thënë: “Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është një pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, ka deklaruar gjithashtu një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për radion Evropa e Lirë.
Lista Serbe dhe Kisha Ortodokse Serbe kanë reaguar për këtë transfer të përgjegjësive. Por KFOR-i ka theksuar se procesi i optimizimit të KFOR-it është nisur si rezultat i situatës së përmirësuar të sigurisë në Kosovë. Komandanti i KFOR-it Gjeneral Majori Özkan Ulutaş ka përsëritur gjatë takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe se ky proces do të kryhet gradualisht. “Ai bazohet në kushte dhe mund të përmbyset nëse kërkohet nga zhvillimet përkatëse që mund të ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”. “KFOR-i do të mbetet plotësisht i pajisur dhe i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës, në përputhje me mandatin e gjatë të KFOR-it. KFOR-i mbetet ndërhyrësi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit, është i përkushtuar për sigurinë e tij dhe se kalimi gradual i pranisë së KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë është në fazën fillestare”.
Serbia ia ka tensionuar së fundi raportet edhe me Malin e Zi. Kryeministri malazez Miliko Spajiq në një postim në rrjetin X ka njoftuar se Mali i Zi nuk dëshiron konflikt me Serbinë. “Ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore, por edhe një politikë të qartë evropiane që, me sa duket, zoti Vuçiç nuk dëshiron ta kuptojë. Dhe nuk është shumë e përshtatshme që ai të marrë rolin e PR-it të Rusisë nga pozicioni i tij dhe t’u japë të tjerëve mësime në parim. Prandaj, një pyetje e thjeshtë për presidentin Vuçiç: si është e mundur që Serbia, sipas të dhënave të disponueshme, është një nga burimet më të rëndësishme të armëve dhe municioneve për Ukrainën, ndërsa i dërgon një mesazh Moskës dhe një tjetër Evropës…? Pas vendimit të KFOR-it, dhe kërcënimeve nga Serbia, zyrtarët e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm në lidhje me trazirat e mundshme në të ardhmen në Mitrovicë ose në pjesë tjera të Kosovës. Kërcënimet mund të vijnë nga jashtë dhe nga brenda, andaj është në të mirë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, që opozita dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti të formojnë institucionet e tu përgjigjen shpejtë politikave të Serbisë, dhe paralelisht të forcojnë pozitën e brishtë rajonale e ndërkombëtare të Kosovës.