Lokalet ‘privatizojnë’ trotuaret në Tetovë, komuna e pafuqishme t’i ndalojë (Video) 

Shumë kafene dhe restorante në Tetovë uzurpojnë trotuaret dhe rrugët duke vendosur karrige dhe tavolina, kështu duke penguar dhe bllokuar lëvizjen e lirë nëpër hapsirat publike. Qytetarët ankohen se nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër rrugë ndërkaq alarmon edhe shoqëria civile. Komuna e Tetovës mbetet e pafuqishme për ta zgjidhur këtë problem, shkruan Portalb.mk. 

anketën publike të Portalb.mk qytetarë të shumtë paraqitën ankesat e tyre për disa prej lokaleve të cilat me vendosjen e tavolinave dhe karrigeve.

Vizituam disa nga këto lokacione ku lëvizja nëpër trotuare është e vështirë. 

Madje, disa nga këto lokale kanë lidhje me zyrtarë publikë aktual dhe të kaluar.

Kështu duken disa nga lokacionet në terren. 

Qytetarët kërkojnë që të marren masa dhe kjo dukuri të mos lejohet nga autoritetet. 

“Përveç uzurpimit të pronës publike, ky lokal uzurpon edhe trotuarin duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, tha një qytetar. 

“Ne si banorë kur vijmë prej pune nuk kemi ku t’i parkojmë veturat, këto lokale vendosin tavolina në trotuar, veturat e tyre i lënë vend e pa vend”, tha një qytetar. 

“Shqetësim kemi sepse lokali nxjerr tavolinat në trotuar”, tha një qytetar tjetër. 

“Problem mbetet qarkullimi i dy personave paralel dhe problem mbetet kalimi me fëmijë”, tha një qytetar.

Këtë shqetësim e ngriti edhe shoqata Më Mirë për Tetovën. Ata për Portalb.mk thanë se uzurpimi i hapësirave publike në Tetovë, sidomos nga lokalet dhe kafeteritë që zënë trotuaret dhe rrugët pa asnjë autorizim, është shndërruar në dukuri masive dhe shqetësuese që pengon seriozisht lëvizjen e lirë të qytetarëve. 

“Kjo praktikë nuk perceptohet si shkelje e ligjit, por shpesh shihet si “mjeshtri” apo shkathtësi, dhe tolerohet – madje edhe përkrahet në heshtje – nga ata që duhet të garantojnë rendin dhe të mbrojnë interesin publik. Jo pak herë, vetë të punësuar në Komunë apo individë në poste publike e politike janë pjesë e këtij uzurpimi, duke e shkelur ligjin haptazi”, thanë nga Më Mirë për Tetovën. 

Sipas tyre, ky bashkëpunim i heshtur dhe kjo neglizhencë institucionale e përkeqësojnë edhe më shumë situatën, duke i kthyer hapësirat publike në prona private për përfitime të ngushta personale.

“MMPT bën thirrje për zbatim të rreptë të ligjit, transparencë në vendimmarrje dhe ndërgjegjësim qytetar – në mënyrë që trotuaret, rrugët dhe çdo hapësirë publike t’u rikthehen qytetarëve të Tetovës, aty ku u takojnë me të drejtë”, theksuan nga Më Mirë për Tetovën. 

Probolemin në fjalë dy herë e adresuam te kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. 

 Ai thotë se inspektorati komunal vazhdimisht merr masa, megjithatë situata në terren flet ndryshe. 

“Sot kisha një takim koordinues me shefin e inspektoratit dhe shefin e sektorit për veprimtari komunale për të më raportuar për të gjitha lokalet të cilat kanë aplikuar dhe kanë marrë aplikim për tarraca të hapura, nga nesër inspektorati do të merr masa konkrete për largim të të gjitha tarracave që nuk kanë leje”, tha Kasami 8 maj 2025. 

Dy javë më vonë, përsëri kërkuam llogari se pse inspektorati komunal nuk vepron ndaj këtyre bizneseve që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kasami tha se kjo për ta përbën luftë permanente. 

“Inspektorati është në vazhdimësi në terren, jo më larg se sot inspektorati është në terren më konkretisht te pjesa e tregut të gjelbër ku veprohet për lirimin e trotuareve që është pikë më kritike. Sa u përket restoranteve, në vazhdimësi ata veprojnë ku pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Por, kemi dukuri ku qytetarët vazhdimisht insistojnë në rikthimin e atyre tavolinave dhe karrigeve në vendin paraprak, pra është për ne luftë permanente që të kemi hapsira publike, nuk është që nuk veprohet, veprohet në vazhdimësi dhe në vazhdimësi kemi po të njëjtën situatë”, tha Kasami 20 maj 2025. 

Nga Policia e Tetovës thanë se përgjegjëse për këtë problem është inspektorati komunal dhe ata si polici i shoqërojnë kur kanë nevojë për të intervenuar.

Përveç uzurpimeve dhe bllokimeve nga kafenetë dhe restorantet, ky problem është i përhapur edhe nga bizneset, marketet dhe shitoret e ndryshme.

Problem tjetër mbetet edhe uzurpimi i hapsirave për parkingje publike nga ana e bizneseve para lokaleve të tyre.