Libri i Flora Durmishit “Përtej kohës” solli librin me 39 figura të grave që formësuan kulturën shqiptare

Publicistja dhe njëra nga drejtueset e Radio Kosovës, ku punon që nga paslufta e këndej, Flora Masurica Durmishi, përuroi librin e saj nga fusha e publicistikës, me titull “Përtej Kohës”, përmes të cilit, sjell para publikut lexues 39 figura të grave që jo vetëm i dhanë formë po edhe përmbajtje kulturës shqiptare për dekada e dekada, transmeton Portalb.mk.

Libri i Durmishit vjen para lexuesve si rezultat i një pune 25 vjeçare përmes valëve të Radio Kosovës dhe angazhimit të saj në fushën e gazetarisë dhe jetës publike në Prishtinë, Tiranë e gjetiu.

Autorja Flora Masurica-Durmishi për Portalb.mk tha se ky libër është mirënjohje për të gjitha ato gra që me punën e tyre kanë kontribuar për formësimin e kulturës sonë.

“Këto personazhe që janë prezantuar në libër kanë qenë shembull frymëzues në një kohë kur rrethanat shoqërore ishin tepër kufizuese. Shumë prej tyre ishin përjashtime që sfidonin këto kufizime. Ato u bënë udhërrëfyese të pashoqe për gratë e lokaliteteve të tyre e më gjerë duke u dhënë atyre kurajën për të ndjekur rrugën e vështirë por të rëndësishme që këto kishin pasur guximin të hapnin. Shumë prej tyre u shndërruan në masë artistike, masë guximi, korrektësie, dije…”, tha Durmishi.

Përmes këtyre intervistave ne kuptojmë më tepër rreth rrugës që kanë bërë këto gra në krijimtari, anën e tyre private, duke hedhur dritë edhe mbi pasiguritë e tyre më të thella, e të cilat shpesh ato i rrëfejnë edhe vetë, sepse këtë pjesë të tërësisë njerëzore nuk e shmang asnjëherë krijuesi.

Pamje nga përurimi i librit të autores Flora Masurica Durmishi. Foto: Flora Masurica Durmishi (Facebook)
Pamje nga përurimi i librit të autores Flora Masurica Durmishi. Foto: Flora Masurica Durmishi (Facebook)