“Levitating” e Dua Lipës kalon 1 miliard shikime në YouTube

Kënga e njohur e shqiptares me famë botërore, Dua Lipa, “Levitating”, ka arritur një tjetër majë të suksesit duke kaluar shifrën prej 1 miliard shikimesh në platformën YouTube, më pak se pesë vjet pas publikimit. Ky është videoklipi i tretë i këngëtares që arrin këtë shifër pas “New Rules” (2017) dhe “No Lie”, ka raportuar Billboard, transmeton Koha.net.

Videoklipi, i realizuar nga regjisori Warren Fu në bashkëpunim me TikTok, e paraqet këngëtaren duke hyrë në një portal galaktik që ngjan me një ashensor retro. E veshur me fustan të kaltër me shkëlqim dhe grim me yje në qepalla, Lipa dhe miqtë e saj kërcejnë nën ritmet e hitit botëror.

Në videoklip shfaqet edhe reperi DaBaby, bashkëpunimi me të cilin e çoi këngën deri në vendin e dytë të listës Billboard Hot 100 në vitin 2021.

“Levitating” është një nga hitet më të mëdha të albumit “Future Nostalgia” të vitit 2020 dhe u bë një prej këngëve më të përfaqësueshme të atij viti.

Sipas të dhënave të vitit 2025, kjo këngë është tashmë ndër 10 më të mëdhatë e shekullit në listën e Billboard Hot 100, duke lënë pas edhe këngë të mëdha si “As It Was” e këngëtarit Harry Styles apo “Circles” e Post Malone.