Konflikti Izrael-Iran, sulmoi edhe SHBA-ja: Liderët botërorë me qëndrime të ndara
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë goditur tre objekte bërthamore të Iranit (Fordo, Natanz, Esfahan), kështu duke u përfshirë në konfliktin midis Izraelit dhe Iranit. Presidenti Donald Trump e quajti si sukses ushtarak, ndërsa ministri i Jashtëm i Iranit Abbas Araqchi i ka cilësuar sulmet të turpshme dhe paralajmëroi se do të ketë pasoja. Izraeli, që nisi sulmet ndaj Iranit e ka mirëpritur përfshirjen e SHBA-së në konflikt, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se sulmet paraqes një moment historik që mund ta çojnë Lindjen e Mesme drejt paqes. Lidhur me këto ngjarje ka pasur reagime të shumta nga bota, transmeton Portalb.mk.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se sulmet amerikane ndaj ndërtesave bërthamore të Iranit ishin të suksesshme dhe ato shkatërruan plotësisht ambiciet bërthamore të Teheranit.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, dënoi sulmet amerikane, duke thënë se këto sulme zbuluan se Uashingtoni ishte “prapa” fushatës ushtarake të Izraelit ndaj Republikës Islamike.
Agjencia e OKB-së për Energji Bërthamore ka njoftuar se nuk ka vërejtur rritjen e niveleve të rrezatimit në objektet kryesore bërthamore të Iranit, pas sulmeve amerikane.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se është “i alarmuar” nga përdorimi i forcës nga SHBA-ja.
Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, bëri thirrje për ulje të tensioneve dhe kthim në tavolinën e bisedimeve, pas sulmeve amerikane në Iran.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i bëri thirrje Iranit që të kthehet në tavolinën e bisedimeve, duke shtuar se stabiliteti në Lindjen e Mesme mbetet prioritet.
Turqia ka reaguar pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Ankaraja paralajmëroi se këto sulme mund të përshkallëzojë konfliktin Iran-Izrael në një nivel global, që siç tha, mund të ketë pasoja “katastrofike”.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i bëri thirrje Iranit që menjëherë të nisë bisedime me SHBA-në dhe Izraelin për të gjetur një zgjidhje diplomatike për konfliktin aktual.
Zyrtarë të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara kanë reaguar pasi presidenti republikan, Donald Trump, mori vendim për sulme ndaj Iranit. Anëtarja e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, senatorja demokrate, Jeane Shaheen, tha se SHBA-ja nuk duhet të ngutet që të futet në luftë me Iranin.
Ministria e Jashtme e Katarit u bëri thirrje të gjitha palëve të vetëpërmbahen dhe të “shmangin përshkallëzimin, të cilin populli i rajonit, i prekur nga konfliktet dhe pasojat e rënda humanitare, nuk mund ta tolerojë”.
Iraku paralajmëroi se sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore në Iranin fqinj rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Arabia Saudite shprehu “shqetësim të thellë” lidhur me sulmet në centralet bërthamore “të Republikës mike Islamike të Iranit”.
Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, tha se Libani nuk duhet të përfshihet në konflikt, nëse ai përhapet në mbarë rajonin e Lindjes së Mesme.
Grupi radikal palestinez, Hamas, dhe rebelët jemenas Huthi, kanë dënuar sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit
Zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se sulmet amerikane kërcënojnë “që të zgjerojë shkallën e konfliktit dhe paraqesin shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”.
Ndërsa kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se shteti i tij përkrah qëndrimin e SHBA-së dhe BE-së sa i përket programit bërthamor të Iranit.
Në ndërkohë Izraeli dhe Irani kanë vijuar me sulmet ndaj njëra-tjetrës.