Komuna e Tetovës dhe e Kërçovës demantuan analizën e IDEA-s për shpenzimet e vitit 2022 për udhëtime: Janë mjete të programit Erasmus për shkollat

Gjetjet e Institutit për Demokraci dhe Analiza Ekonomike (IDEA) të publikuara dje se Komuna e Tetovës për vitin 2022 ka shpenzuar 211,031 euro për udhëtime dhe shpenzime ditore, nga Komuna e Tetovës sot janë konsideruar si të pavërteta dhe se të njëjtat janë para të projekteve Erasmus për shkollat fillore dhe të mesme. Njëjtë reagoi edhe Komuna e Kërçovës e cila në analizë paraqitet se ka shpenzuar 208,450 euro. Instituti sot theksoi të dhënat i ka marrë nga Ministria e Financave dhe se nuk ka bërë interpretim apo analizë të detajuar të shpenzimeve në fjalë pasi kjo është e pamundur në mungesë të të dhënave në web-faqen e Komunës së Tetovës apo atë të Ministrisë së Financave. Reaguan edhe nga BDI-ja, thanë se kryetari i Komunës së Tetovës e keqpërdor komunën për interesa partiake dhe personale, shkruan Portalb.mk.

Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike (IDEA) përmes një grafikoni dje bëri publike vlerën e parave të shpenzuara nga disa komuna në RMV për udhëtime dhe shpenzime ditore për vitin 2022, ku Komuna e Tetovës figuronte e para me 211,031 euro.

Foto: Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike (IDEA)
Foto: Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike (IDEA)

Komuna e Tetovës demantoi këtë informatë duke e cilësuar si të pavërtetë. Fillimisht dje kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami përmes një reagimi në Facebook. Ndërsa sot edhe kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi përmes një konference për shtyp.

“Analiza e bërë nga instituti është kryekëput gabim, nuk paraqet gjendjen faktike dhe reale të shpenzimeve ditore të Komunës së Tetovës, i bëjmë thirrje institutit në fjalë që të largon lajmin, të kërkojë falje publike në të kundërtën do të pasojë padia”, tha Durmishi.

Durmishi theksoi se shuma të cilës i referohet instituti në fjalë ka të bëjë me projektet Erasmus që kanë fituar shkollat fillore dhe të mesme nga Bashkimi Evropian.

Ai theksoi se vlera që është paraparë në buxhet është 320,733 euro, prej të cilave 266 mijë euro janë për shkollat e mesme dhe 53.900 euro për shkollat fillore.

“Vlen të potencohet që këto nuk janë mjete vetanake nga buxheti i Komunës së Tetovës por janë donacion nga Bashkimi Evropian për projektet Erasmus, udhëtimet e profesorëve, arsimtarëve, aktivitete të ndryshme, trajnime të ndryshme”, tha Durmishi.

Ai informoi se për vitin 2022 Komuna e Tetovës, respektivisht udhëtimet e kryetarit, administratës, këshillit për vitin 2022 kapin vlerën prej 11.200 euro dhe janë të parashikuara në buxhetin e komunës.

Në listën e publikuar nga IDEA me shumën më të lartë pas Komunës së Tetovës figuron se Komuna e Kërçovës ka shpenzuar 208,450 euro. Reaguan edhe nga Komuna e Kërçovës, thonë se publikimi i njëanshëm i disa mediave, portaleve dhe i disa përfaqësuesve të partive politike që mundohen t’i shtrembojnë dhe tu japin kahje negative shpenzimeve të shpallura në institutin IDEA, duke aluduar se është bërë keqpërdorim nëpër komuna, për interesa të tyre të politikës ditore ku figuron edhe Komuna e Kërçovës, aspak nuk qëndron.

“Nga shifrat e publikuara të llogarisë përfundimtare është evidente që ato mjete janë pjesë e buxhetit të përgjithshëm dhe po të njëjtat janë të fituara nga programet e Bashkimit Europian (ERASMUS +) të destinuara për këtë veprimtari dhe nevoja të shkollave për udhëtime ditore jashtë vendit (shtetit)”, tha kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.

Ai informoi se mjetet e shpenzuara nga buxheti themelorë i Komunës së Kërçovës, për udhëtime ditore për vitin 2022 janë në vlerë prej 42000 den ose 683 euro, që në krahasim me komunat tjera është për dhjetë fish më e vogël.

Këtij reagimi iu përgjigjën nga IDEA. Ky institut thekson se të dhënat e publikuara për vitin 2022 janë marrë nga Ministria e Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“IDEA nuk ka bërë interpretim apo analizë të detajuar të shpenzimeve në fjalë, meqë një gjë e tillë është e pamundur në mungesë të të dhënave në web-faqen e Komunës së Tetovës apo atë të Ministrisë së Financave. Prandaj ne kemi bërë thjeshtë vizualizim të të dhënave ashtu siç janë përmbledhur nga Ministria e Financave dhe siç janë paraqitur në platformën “Pasqyra e Komunave” të cilën mund ta gjeni në web-faqen e Institutit”, theksuan nga IDEA.

Deklaratën e Kasamit që demantoi Institutin, IDEA e ka cilësuar sit ë papranueshme dhe ofenduese.

“Në mënyrë që të rritet transparenca dhe qytetarët të informohen më mirë mbi detajet e shpenzimeve të Komunës së Tetovës dhe komunave tjera, ftojmë z. Bilall Kasamin dhe të gjithë kryetarët e komunave të cilët nuk e kanë bërë një gjë të tillë, që të publikojnë llogaritë përfundimtare financiare në web-faqet e tyre dhe të rrisin transparencën financiare në mënyrë që qytetarët të informohen drejt dhe mjaftueshëm se ku dhe si shpenzohen paratë e tyre”, thanë nga IDEA.

Për këtë rast sot reaguan edhe këshilltarët komunal të Bashkimit Demokratik në Tetovë, Veton Murati, duke iu referuar analizës nga IDEA theksoi se këto informata dëshmojnë mashtrimet dhe qëllimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit i cili komunën e përdor për qëllime partiake dhe personale.

“211 mijë euro, para të tetovarëve janë shpenzuar nga ana e udhëheqësve të Komunës së Tetovës për udhëtime dhe shpenzime ditore gjatë vitit 2022. Kjo i bie se Bilall Kasami dhe kabineti i tij kanë shpenzuar nga 800 euro çdo ditë pune përgjatë një viti, vetëm për shpenzime ditore dhe udhëtime”, tha Murati.

Ai shtoi se muaj më parë Komuna e Tetovës u shpall si një nga komunat më pak transparente në shtet dhe kjo jep indice për korrupsion dhe keqpërdorime.

Komuna e Tetovës sot njoftoi se për vitin 2023, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka shpenzuar gjithsej 5900 euro, shpenzimet e këshillit të Komunës së Tetovës janë 1317 euro, ndërsa administrata ka harxhuar gjithsej 11,800 euro, ku kjo shumë përfshin edhe trajnimet e zjarrfikësve në Angli dhe trajnimin e disa administratorëve për projektin e digjitalizimit në Kroaci.

Përndryshe, Portalb.mk përmes Ligjit për qasje të lirë te informacionet e karakterit publik sot nga Komuna e Tetovës ka kërkuar raport të detajuar se sa ka shpenzuar Komuna e Tetovës për udhëtime dhe shpenzime ditore në vitin 2019, 2020, 2021, 2022 dhe 2023.