Këtu është Zagreb e jo Tel Aviv, presidenti kroat kritikoi ambasadorin izraelit
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq e ka kritikuar ambasadorin izraelit pas akuzave për lidhje të mundshme të misionit iranian në Zagreb me terrorizmin, transmeton Portalb.mk.
Ai tha se Kroacia nuk do të lejojë “infeksione dhe mikrobe të huaja” në territorin e saj dhe paralajmëroi se nuk do të donte praninë e të dërguarit nga Izraeli nëse sjellja e tij vazhdon.
Milanoviq komentoi se Irani dhe Izraeli mund të jenë të prirur ndaj metodave të dhunshme në Lindjen e Mesme, por shtoi se Irani nuk kryen aktivitete terroriste në Evropë.
“”Irani, kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme, ashtu si Izraeli, është i prirur ndaj metodave të caktuara terroriste. Çfarë është vrasja në Gaza nëse jo terrorizëm dhe çfarë është abuzimi nga ushtarët izraelitë të trajnuar në Krav Maga nëse jo terrorizëm”, tha Milanoviq.
Ai bëri këtë koment pas deklaratave të Gary Koren, i cili pretendoi se anëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit mund të ishin të pranishëm në ambasadën iraniane në Zagreb për mbledhje inteligjence dhe mbështetje të terrorizmit.
Presidenti thirri ambasadorin në zyrën presidenciale, duke i kërkuar të mos alarmonte publikun dhe të mos dëmtonte interesat e Kroacisë.
“Këtu është Zagreb, vëllezër, jo Tel Aviv”, tha Milanoviq.
Milanoviq gjithashtu rikujtoi se kishte dënuar më parë sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke theksuar se ato u bënë pa mandat të OKB-së.