Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Serbi: Vendimi ndaj Dodikut, “goditje serioze për popullin serb”

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë e ka dënuar vendimin kundër Millorad Dodikut, presidentit të Republikës Sërpska, entitet serb i Bosnje-Hercegovinës, duke e quajtur atë “goditje serioze politike për popullin serb në Republikën Sërpska dhe Marrëveshjen e Dejtonit”. Dodiku është dënuar me 1 gusht me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë për mbajtje të ndonjë pozite publike, për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje-Hercegovinë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Pas takimit, Këshilli u ka bërë thirrje të gjitha palëve në rajon që të ruajnë qetësinë.

Sipas tij, synimi kryesor i Serbisë, pas vendimit, është “ruajtja e Republikës Sërpska në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, përmes një fushatë aktive në organizatat ndërkombëtare, si partnerët tanë më të rëndësishëm”.

Këshilli ka thënë se “do të përdoren të gjitha mjetet diplomatike, politike dhe ligjore për të mbështetur Republikën Sërpska dhe përfaqësuesit e tij ligjorë dhe legjitim”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë pas mbledhjes së Këshillit më 2 gusht se Këshilli ka vlerësuar se këto vendime “përbëjnë faktor destabilizues për sigurinë” dhe që “situata e sigurisë në rajon është minuar seriozisht”.

Presidenti Vuçiq e ka përsëritur pas takimit se kjo është periudha më e vështirë për Serbinë prej vitit 2008.

Ai ka thënë se Dodiku nuk do të arrestohet në Serbi, nëse do të shkonte atje.

Avokati i Dodikut, Goran Bubiq ka thënë pas vendimit se atë do ta apelojë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, me qëllim të sfidimit të tij.

“Ne do të kërkojmë edhe masë të përkohshme për bllokim të ekzekutimit të vendimit derisa ta marrë vendimin Gjykata Kushtetuese e Bosnje-Hercegovinës”, ka thënë Bubiq në një konferencë për media më 1 gusht në Banjallukë, duke thënë se këta janë hapat që mund të merren që rasti më pas të apelohet edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut.

Në konferencën e njëjtë për media, Dodik ka thënë se nuk e pranon vendimin dhe as veprën penale për të cilën është dënuar.