Këshilli i Prokurorëve Publikë diskuton me dyer të mbyllura shkarkimin e Kocevskit, vendosi ta përjashtojë publikun

Këshilli i prokurorëve publikë vendosi që ta përjashtojë publikun nga seanca për propozimin për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Pas dy shtyrjeve, anëtarët e Këshillit janë mbledhur sot për të debatuar propozimin.

Por ka pasur edhe një sugjerim të menjëhershëm që ajo të mbahet me dyer të mbyllura, për, siç u tha, ndjeshmërinë e situatës dhe të dhënave e provave që do të paraqiteshin.

Propozimin për mbylljen e seancës ebëri anëtarja e Këshillit Zorica Pavloviq, e cila iu referua nenit 10 të Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë.

“Unë propozoj që publiku të përjashtohet për të mbrojtur reputacionin e prokurorit publik dhe faktet dhe provat e paraqitura në deklaratën e tij mbi mocionin”, tha Pavlloviq.

Propozimi u mbështet me një qëndrim identik nga kolegia e saj, Svetlana Stojkovic, e cila përmendi të njëjtat argumente.

Aktualisht po zhvillohen diskutime për shqyrtimin e propozimit për shkarkimin e Kocevskit.

Këshilli njoftoi se publiku do të ftohet kur të përfundojë dhe do të votohet për mendimin që duhet të japin lidhur me propozimin.

Nesër është afati i fundit që Këshilli i Prokurorëve Publik të shprehet për propozimin e Qeverisë për shkarkimin e Kocevskit, por duke marrë parasysh zhvillimin e ngjarjeve që kanë ndodhur në ndërkohë, kjo nuk do të ndikojë në procedurën, të cilën Qeveria vendosi ta ndërpresë pas tragjedisë në Koçan ku humbën jetën 59 persona.

Gjegjësisht, javën e kaluar, më 25 mars, kryeministri Hristijan Mickoski tha se procedura e nisur nga Qeveria në shkurt duhet të mbetet në fazën në të cilën është aktualisht për shkak të hetimeve për zjarrin në në Koçan, për të cilën po punon ekipi prej 11 prokurorësh.

Të nesërmen, kur rastësisht ose jo, për shkak të mungesës së kuorumit u shty seanca e Këshillit të Prokurorëve Publikë, zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva në një konferencë për media njoftoi se Qeveria do të pezullojë procedurën për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski edhe nëse merr mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë lidhur me shkarkimin. Kjo, siç sqaroi ajo, do të thotë se edhe nëse Qeveria e merr mendimin nga Këshilli i Prokurorisë Publike, nuk do ta dërgojë atë në Kuvend për vendimmarrje të mëtutjeshme.

Ndryshe, procedurën për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski e ka iniciuar Qeveria në shkurt të këtij viti, pikërisht një vit pasi ai ka marrë këtë pozitë. Pas kalimit të seancës së qeverisë, propozimi për shkarkimin e Kocevskit mbërriti në Këshillin e Prokurorëve Publikë në fillim të marsit.

Propozimin për shkarkimin e tij Kocevski e ka marrë më 6 mars, dhjetë ditë para tragjedisë në Koçan.