Kërcënimet e Putinit nuk duhet të mbivlerësohen

Ekspertë gjermanë të politikës së jashtme kërkuan që të mos frikësohemi nga kërcënimet e presidentit rus Vladimir Putin për një përshkallëzim bërthamor të luftës në Ukrainë, shkruan DW.

Kryetari i Komisionit parlamentar të Punëve të Jashtme dhe deputeti social-demokrat, Michael Roth, u shpreh kundër mbivlerësimit të fjalimit të Presidentit rus Vladimir Putin për gjendjen e kombit. “Ai përsërit akuzat dhe kërcënimet e tij të njohura ndaj Perëndimit”, tha kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Bundestag, Michael Roth, për Rrjetin redaksional të Gjermanisë (RND). “Ne nuk duhet t’i lejojmë vetes të na impresionojë kjo” – tha Roth.

Roth e quajti fjalimin e Putinit si një përpjekje për të motivuar popullin rus për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen pas dy javësh, në të cilat Putini do të kandidojë përsëri.

Përpjekje për të motivuar popullin rus

Putinit i duhet të bënte të njohura dhurata të gjithëllojshme zgjedhore, “sepse mungesa e alternativave nuk është ndonjë arsye e mirë për të marrë pjesë në zgjedhje”, tha Roth. Prandaj Putini premtoi se së shpejti do të ketë më shumë para për pensionistët, punonjësit e shtetit dhe veteranët.

“Regjimi i Putinit dëshiron absolutisht të shmangë që rezultatet e falsifikuara të zgjedhjeve të duken si shumë joreale,” tha politikani i SPD-së. Zgjedhjet në Rusi do të jenë “po aq të lira dhe demokratike sa edhe zgjedhjet në Bashkimin Sovjetik ose në ish-RDGJ”.

Deklarata të ngjashme bënë edhe politikanë të tjerë ekspertë të politikës së jashtme, nga CDU/CSU, të Gjelbrit dhe nga FDP.

Anton Hofreiter nga të Gjelbrit, tha se qëllimi i Putinit me kërcënimet e tij është të bëjë që shtetet perëndimore të ndalin mbështetjen për Ukrainën.

Kurse Marcus Faber nga FDP kërkoi më shumë municione për Ukrainën. Ai tha se beson se Rusia tashmë është ushtarakisht “me shpatulla pas murit ” dhe se “popullsia civile ruse i sheh gjithashtu arkivolet që po kthehen në Rusi dhe në fakt nuk e di pse u sulmua shteti fqinj i Ukrainës”.

Aludime dhe kërcënime

Gjatë fjalimit të tij Presidentit rus Vladimir Putin premtoi fonde për të ringjallur ekonominë dhe përshkroi planet për rigjallërimin e infrastrukturës së vendit gjatë gjashtë viteve të ardhshme. Putini e filloi fjalimin e tij me një sërë referencash për pushtimin rus të Ukrainës, ose “operacionin special ushtarak”, siç e quan ai.

Ai gjithashtu aludoi për aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, duke vënë në dukje se ishte përvjetori i asaj që ai e quajti “Pranvera ruse”. Sipas Putinit, shumica e popullsisë ruse e mbështet aksionin ushtarak në Ukrainë.

Duke përmendur anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO në kuadër të luftës në Ukrainë Putini dhe tha se Distrikti Ushtarak Perëndimor i Rusisë duhet të forcohet. Finlanda ka një kufi të gjatë tokësor me Rusinë.

Presidenti rus tha më tej në fjalën e tij se shtetet e NATO-s rrezikojnë një luftë bërthamore, nëse dërgojnë trupa në Ukrainë. Këtë deklaratë ai e bëri disa ditë pasi Presidenti francez Emmanuel Macron e la të kuptohet këtë mundësi, duke nxitur disa liderë të tjerë perëndimorë të flasin kundër kësaj ideje.