Kadareja përmes Laokontit: Çka t’i bëja fushatës së tradhtarëve kundër meje, shantazheve, letrave anonime plot helm

Ismail Kadare është ndarë nga jeta në moshën 88 vjeçare të hënën në mëngjes nga një atak kardiak. E gjithë bota kanë shprehur keqardhje për ikjen e tij fizike duke na lënë në trashëgimi, sidomos neve shqiptarëve. Për Portalb.mk sjellim një këndvështrim mbi poezinë e tij të njohur ‘’Laokonti’’ ku mund të lexohen dhe tone autobiografike.

Shkrimtarë të ndryshëm kanë shfrytëzuar thesarin popullor si arketip të krijimtarisë së tyre, njëri ndër ta është autori më i zëshëm i letërsisë shqipe, tashmë i ndjerë Ismail Kadare, i cili gati në tërë krijimtarinë e tij e udhëheqin dy linja të forta referencash, si ato mitike greke dhe rrëfime të marra nga folklori shqiptar.

Nëse këto të parat i shërbejnë më shumë për të ilustruar, ose thirret në to për të bërë krahasime, kjo e dyta i shërben më shumë si bazë mbi të cilën rimodelon, ridimenzionon, plotëson ose e zbërthen rrëfimin duke e interpretuar dhe kur themi kështu nuk flasim vetëm për krijimtarinë e tij në prozë, por dhe në poezi. Ja të marrim shembull poezinë e tij “Laokonti “ e cila të shpie menjëherë në botën atike dhe te lufta e famshme e Trojës.

Siç e dimë, Laokonti përmendet në opusin e personazheve të mitologjisë së lashtë greke. Ishte ai që kundërshtoi idenë që trojanët të pranonin dhuratën, gjegjësisht kalin i cili ishte i stërmbushur me ushtarë dhe që më vonë si i tërë do të ishte sinonimi i përjetshëm i tradhëtisë. Si dënim, Laokonti bashkë me dy djemtë u mbytën nga gjarpërinjtë gjigandë.

Në poezinë “Laokonti” në fillim na paraqiten statujat e famshme të ekspozuar në muzerat para të cilëve shkrepin aparatet e turistëve për të shumëfishuar një skulpturë e cila mban të ngujuar një të vërtetë të madhe. Po, për cilën të vërtetë flet Kadareja?

“Tek më vini rrotull, unë them me vete
kaq të verbër të jeni sa të mos të ndjeni këtë,
që ky ngërç e ky ankth në qenien time
s’është nga gjarpërinjtë, por nga një tjetër gjë?
Mijëra herë në mijëra net e ditë
të vërtetën e frikshme përsëris pa pushim.
Me shpresën e marrë se nga kjo përsëritje
ndoshta mermeri pëson një ndryshim.”

Arti i skulpturës që mban të mbërthyer një gënjeshtër, një vepër që paraqet atraksion për turistët, ndërkohë mban një të vërtetë njerëzore nga më barbaret, por qenia njerëzore indiferente kalon pa e vënë re një diçka të tillë. Është interpretimi që ngre poeti, mbi shtratin e narracionit fillestar që kapërcen atë duke e përsosur me një këndvështrim të veçantë siç gjithnjë u jepte shpjegim miteve dhe legjendave dhe problematikave letrare në përgjithësi.

Në rastin e poezisë Laokonti, pikëpyetja që vihet mbi ngjarjen dhe personazhin që mendonim se e njihnim mirë, ka lidhje përmbi të gjitha, në terma semiologjikë, me shpjegimet e asaj çka ndodh në hendekun midis ngjarjes dhe kuptimit: është Laokonti simboli i mosbindjes dhe i ndëshkimit hyjnor, apo simbol i viktimës së mashtrimit politik, tradhtisë dhe krimit?

Thelbi, ose qëllimi i krejt kësaj loje intertekstuale është vargu i fundit i kësaj strofe:

“Si çdo gjë e tmerrshme është i thjesht sekreti,
që brenda boshllëku i gjoksit mban.
Afroni, pra, kokat të dëgjoni të vërtetën,
mua s’ më mbytën gjarpërinjtë por trojanët më vranë.”
Si tërësi kjo poezi bashkë më rrëfimin në sfond, mban dhe arsyen e reflektimit ose atij mesazhit që ka vendosur ta përcjell përmes figurës fatkeqe të Laokontit:
“Ç ‘përralla kalamajsh, ç ‘trillim për budallenjtë
unë gjarpërinjtë do t’i mbrapsja me një shkelm.
Po ç’t’i bëja fushatës së tradhtarëve kundër meje
shantazheve, letrave anonime plot helm.”

Nëse fokusohemi te dy vargjet e fundit, ku përmenden letrat anonime, gjithkush që di pak për fushatën antikadareane në jurinë e Stokholmit për çmimin Nobel, e ka të qartë se cili është aludimi që mbart kjo poezi. Ja e vërteta që mbase e ka vrarë Laokontin. Mospërkrahja nga njerëzit e tij. Vënia në dyshim e qëllimeve të tij. Ju duket diç e njohur kjo sa i përket debatit përçarës që ngritet mbi figurën e Kadaresë dhe që i ndan shqiptarët, kjo figurë që duhet të jetë më shumë përbashkuese mes shqiptarësh.

E vërteta është relative në letërsi, nga një herë kjo lihet në dorën e lexuesit. Të gjithë ata që e njohin krijimtarinë e Kadaresë, e dinë sa është i lidhur me mitet e lashta greke, nordike dhe ato shqiptare, sa me mjeshtëri loz me to, i interpreton, i zbërthen dhe i rifunksionalizon në një epokë tjetër.

Dhe poezia vazhdon:

Atë kalë unë i pari e kisha goditur,
ndaj,e dija, atë s’do të ma falnin përjetë.
Më në fund “vijë e butë” fiton mbi të “ashprën”,
dhe ne “kokëfortët” na vunë në arrest.

Sa i përket leximit ndërtekstual të poetikës së këtij autori, i cili është dhe më i rëndësishmi dhe më i përkthyeri i letërsisë shqipe, mbase duhet të bëhet një punim i veçantë, pasi e tërë krijimtaria e tij përbëhet dhe ngritet mbi asociacione, ndërfutje, metafora e krahasime që të bëjnë të shëtisësh gjithandej nëpër belles letres.