Kadare nuk ka vdekur, ai dhe veprat e tij do të jetojnë përgjithmonë

Shkruan: Naim Iljazi

Ismail Kadare ishte më shumë se një shkrimtar. Ai ishte një mbrojtës i paepur i identitetit shqiptar, ai ishte Gjergj Kastrioti i kombit, që shpatën e kthehu në pend. I vetëdijshëm se “ky komb normalitetin e tij nuk mund ta arrijë nëpërmjet qorrsokakëve të vdekjes, me parulla të vjetra kinse heroike”, ai iu përkushtua fjalës për të qenë hero i një populli që po përjetonte një fat tragjik.

“Skënderbeu, siç ndodh me personazhet e mëdha”, thoshte Kadare, “mbështjell rreth vetes gjithçka thelbësore që ka të bëjë me kombin shqiptar. Sot, pas 600 vjetësh, ai mbetet personazhi numër një, më aktual se kurrë, i lidhur drejtpërdrejt me problemin themelor të kohës: rikthimin e Shqipërisë në Evropë”. Ashtu siç ndodh me personazhet e mëdha, edhe Kadare mbështjell rreth vetes gjithçka thelbësore që ka të bëjë me kombin e tij, dhe bëhet më aktual se kurrë, ashtu si Gjergj Kastrioti, i lidhur drejtpërdrejt me problemin themelor të kohës: rikthimin e shqiptarëve në Evropë.

Sot, në përjetësimin e tij, ai zgjon frikë bestyte, një lloj tërmeti që trazon trumbetat e smirëzinjve. Kalimi i tij në amshim merret si një epilog ku akti i fundit i dramës është dhe fundi i qëndresës së Kadaresë. Por përkundrazi, ai mbetet i pamposhtur në betejën e tij për të dëshmuar se shqiptarët janë jo vetëm pjesë e pandashme e këtij kontinenti, por edhe një komponent përbërës i Evropës, sa arkaik aq dhe bashkëkohor. Kadare, dhe me mos prezencën e tij fizike diskualifikon të gjithë kundërshtarët dhe rikthen shqiptarët në trashëgiminë e Oksidentit.

Nga “Kështjella” te “Kronikë në gur,” nga “Prilli i thyer” te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur,” ai shpalosi fuqinë e mendjes si një testament për të vërtetën dhe të drejtën. Vepra letrare e Kadaresë mbetet doktrinë “panalbanica” që mbron dhe promovon të vërtetën dhe identitetin shqiptar, ndërsa Kadare në vete është simbol i qëndresës intelektuale që nuk bënë kompromise, por i qëndron stoikisht besës së dhënë për aleancën me Perëndimin.

Konstrukti i Kadaresë edhe mund të mos jetë i pranishëm në mes nesh, por bota e tij letrare as nuk plaket dhe as nuk vdes. Përjetësimi i tij e përjetëson testamentin dhe trashëgiminë që la pas.

Kadare është pavdekshëm!