ISIS e mori përgjegjësinë për sulmin në Moskë, 11 persona janë arrestuar: Numri i viktimave ka arritur në 93

Autoritetet ruse thanë se njëmbëdhjetë persona janë arrestuar në lidhje me sulmin e armatosur të së premtes në një sallë koncertesh në Moskë. Katër prej tyre janë të përfshirë drejtpërdrejt në sulm, i tha të shtunën presidentit Vladimir Putin, shefi i Shërbimit Federal të Sigurisë, shkroi agjencia shtetërore ruse e lajmeve, Tass, transmeton Zëri i Amerikës.

Zyrtarët rusë thanë se ata u kapën në rajonin Bryansk në Rusinë perëndimore, “jo larg kufirit me Ukrainën”.

Të paktën 93 veta u vranë në sulmin e së premtes, në mesin e të cilëve tre fëmijë, thanë autoritetet ruse.

Sulmi ndodhi vetëm disa ditë pasi presidenti Vladimir Putin çimentoi kontrollin e tij mbi pushtetin në një fitore të thellë në zgjedhjet presidenciale ruse, që nga perëndimi u cilësuan si jo të lira.

Sulmi ishte më vdekjeprurësi në Rusi ndër vite dhe ndodhi në një periudhë kur lufta e këtij në Ukrainë tashmë ka hyrë në vitin e tretë.

Videot e postuara në internet shfaqën persona të armatosur në vendin e ngjarjes duke qëlluar civilët nga afërsia. Çatia e teatrit, ku turma ishte mbledhur të premten për një shfaqje të grupit rok rus Picnic, u shemb në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ndërsa zjarrfikësit kaluan orë të tëra duke luftuar me zjarrin që shpërtheu gjatë sulmit.

Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin në një deklaratë të postuar në platformat e rrjeteve sociale të lidhura me të, megjithëse as Kremlini dhe as shërbimet ruse të sigurisë, nuk e kanë fajësuar zyrtarisht askënd për sulmin.

Në një deklaratë të postuar nga agjencia e tij e lajmeve Aamaq, dega e Shtetit Islamik në Afganistan tha se kishte sulmuar një tubim të madh të “të krishterëve” në Krasnogorsk. Nuk ishte e mundur të vërtetohej saksia e pretendimit.

Megjithatë, një zyrtar amerikan tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se shërbimet amerikane të zbulimit kanë konfirmuar se IS-i është përgjegjës për sulmin.

Zyrtari, i cili foli me kusht që të mos identifikohej, tha se agjencitë amerikane të zbulimit kishin mbledhur informacion në javët e fundit se dega e IS-it po planifikonte një sulm në Moskë, dhe se zyrtarët amerikanë kishin ndarë privatisht informacionin e inteligjencës në fillim të këtij muaji me zyrtarët rusë.

Pas sulmit, disa ligjvënës rusë nxituan të akuzonin Ukrainën. Mykhailo Podolyak, një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, mohoi çdo përfshirje.

“Ukraina kurrë nuk ka përdorur metoda terroriste”, shkroi ai në rrjetin X. “Gjithçka në këtë luftë do të vendoset vetëm në fushën e betejës”.

Mesazhe zemërimi, tronditjeje dhe mbështetjeje për të prekurit janë dërguar nga e gjithë bota.

Të premten, Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi “sulmin e tmerrshëm dhe frikacak terrorist” dhe nënvizoi se autorët duhet të mbahen përgjegjës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, gjithashtu dënoi sulmin terrorist “me fjalët më të forta të mundshme”, tha zëdhënësi i tij.

Presidenti rus Putin, i cili zgjati kontrollin e tij mbi Rusinë edhe për gjashtë vjet të tjera në zgjedhjet presidenciale pas shtypjes gjithëpërfshirëse të opozitës, kishte denoncoi publikisht paralajmërimet perëndimore për një sulm të mundshëm terrorist, si një përpjekje për të frikësuar rusët. “E gjithë kjo i ngjan shantazhit të hapur dhe një përpjekjeje për të frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë tonë”, tha ai në fillim të kësaj jave.

Në tetor të vitit 2015, një bombë e vendosur nga Shteti Islamik rrëzoi një avion udhëtarësh mbi Sinai, duke vrarë të gjithë 224 personat në bord, shumica prej të cilëve turistë rusë që ktheheshin nga Egjipti. Grupi, i cili vepron kryesisht në Siri dhe Irak, por edhe në Afganistan dhe Afrikë, gjithashtu ka marrë përsipër disa sulme në rajonin e Kaukazit në Rusi dhe rajone të tjera në vitet e fundit. Grupi rekruton luftëtarë nga Rusia dhe pjesë të tjera të ish Bashkimit Sovjetik.