iPhone 15 Pro Max do të jetë modeli më i shitur i linjës së re, parashikon Apple

Apple synon që modeli i segmentit të lartë iPhone 15 Pro Max të zërë 35-40 përqind të shitjeve fillestare të serive iPhone kur të debutojë muajin e ardhshëm raportoi analisti i mirënjohur Ming-Chi Kuo, njofton PCWorld Albanian.

Kështu modeli më i shtrenjtë i Apple do të zinte pjesën më të madhe të shitjeve në mesin e katër modeleve të planifikuara nga Apple ndërsa varianti Pro Max pritet të ketë shitje 10-20 përqind më të larta sesa iPhone 14 Pro Max i vitit të kaluar.

Një prej arsyeve kryesore pse përdoruesit do të blejnë iPhone 15 Pro Max është kamera periskop e cila mundëson zmadhim 5x-6x krahasuar me zmadhimin optik 3x të modeleve ekzistuese.

Kamera periskop do të jetë ekskluzivitet i modelit Pro Max përpara se të aplikohet në modelin më të vogël iPhone 16 Pro vitin e ardhshëm.

Debutimi me faza i linjës Pro do ti japë mundësi Apple dhe furnizuesit të saj ekskluziv të lenteve periskop, Largan, të fillojnë prodhimin e 15-20 milionë njësive me këtë komponent këtë vit dhe 30 milionë vitin e ardhshëm.

Linja iPhone 15 është vetëm pak ditë larg ndërsa spekulimet flasin për datën 12 Shtator si momenti i debutimit. Shitjet do të fillonin pak ditë më vonë, më 22 Shtator, nëse Apple i përmbahet kësaj axhende.