Hetimi për mbikëqyrjen e ‘Bechtel&Enka’ në vlerë prej 22,3 milionë eurosh ka ngecur në MPB, kompania që e kritikoi Mickoski e përfshirë edhe në projektin ‘Treni i qytetit’

Hetimi për tenderin kontrovers prej 22,3 milionë eurosh për mbikëqyrjen e ndërtimit të autostradave nga ‘Bechtel & Enka’ ka ngecur në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB). Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK) për TV 24 deklaruan se ende janë në pritje të raporteve nga policia, transmeton Portalb.mk.

Nga Prokuroria theksojnë se prokurori që e udhëheq lëndën ka dërguar madje edhe intervenime në MPB.

“Sipas urdhrave të prokurorit publik kompetent nga PTHP NKOK, MPB-ja po ndërmerr veprime në lidhje me lëndën për të cilën keni shprehur interes. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një periudhë më të gjatë kohore në të cilën po veprojnë shërbimet e MPB-së, prokurori publik ka dërguar një sërë intervenimesh me qëllim që sa më shpejt të sigurohen raportet sipas urdhrave dhe të zbardhet rasti“, thonë nga Prokuroria.

Nga MPB-ja nuk zbulojnë se çfatë aktivitetesh po ndërmerren dhe ku ka ngecur puna, vetëm thonë shkurt se po analizohen dokumentet, pas çka do të vijojnë kontrollet.

“Sa i përket pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se nga PTHP NKOK është pranuar urdhër për ndërmarrjen e veprimeve nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Një pjesë e kontrolleve tashmë janë kryer dhe është në rrjedhë e sipër analiza e gjithë dokumentacionit, ndërsa një pjesë e kontrolleve duhet të ndërmerren pas përfundimit të analizës, me qëllim të sigurimit të fakteve relevante që janë me rëndësi për parahetimin e plotë“, thanë nga MPB.

Dhe me sa duket për rastin me zgjedhjen skandaloze të IRD për mbikëqyrjen e ‘Bechtel & Enka’, të cilën VMRODPMNE dhe Hristijan Mickoski kur ishin në opozitë e kritikuan ashpër, opinioni do të presë për përgjigje.

Konsorciumi i cili u karakterizua si skandaloz dhe kontrovers nga opozitari Mickoski, tani është i mirë për zyrtarët e tij.

IRD merr pjesë në mbikëqyrjen e projektit „treni i qytetit“. Informatën për TV 24 e konfirmoi edhe Sinisha Ivanovski, drejtor i hekurudhave. Por, për atë se si mbikëqyrja e “keqe” e kohës kur ishin në opozitë tani është e mirë, Ivanovski thotë se IRD ka marrë pjesë vetëm në një pjesë.

„Kompania IRD është angazhuar nga ndërmarrja publike pas një procedure paraprake të tenderimit. Sipas Ligjit për Prokurime Publike, çdo kompani që merr pjesë në tenderët në shtet duhet të dorëzojë dokument për dëshmi se nuk është e dënuar. Kjo kompani ka dorëzuar një dokument të tillë dhe, sipas Ligjit për Prokurime Publike, kompania ka të drejtë të marrë pjesë në procedurat e tenderimit në shtet. Vlera totale e kontratës është 45.000 euro“, tha Ivanovski 

Emisioni ‘360 Shkallë’, në storiet e tij hulumtuese kushtuar mbikëqyrjes së ‘Bechtel & Enka’, publikoi se pas mbikëqyrjes qëndrojnë, mbi të gjitha, firma vendase si nënkontraktorë, nga të cilat kompania me numrin më të madh të inxhinierëve, ‘Elektra Solutions’, deri vonë ka qenë kompani për qepjen e veshjeve të brendshmeve, e cila ka marrë pjesën më të madhe të tenderit prej 22,3 milionë eurosh për mbikëqyrjen e autostradave që do të ndërtohen nga ‘Bechtel & Enka’. Kompania ‘Elektra Solutions’ ka marrë 8,3 milionë euro, ndërsa ‘Euro Consulting’ e Branisllav Dimitrijeviqit, ndaj të cilit ka një aktakuzë në Armeni, ka marrë 7,1 milionë euro nga tenderi. Nga pjesa e mbetur, 4,1 milionë euro shkojnë për ‘IRD Engineering’ nga Italia, ndërsa shërbimet e zyrës lokale të ‘IRD’ në Shkup do të kushtojnë rreth 2,4 milionë euro. Për partnerin e fundit në konzorcium, kompaninë spanjollo-kineze ‘Eptisa’, janë paraparë 400.000 euro.