Hatixhe Sefa: Izolimi nga shoqëria dhe paragjykimet e pengojnë procesin terapeutik

Bashkëpunimi me prindërit, rregullshmëria në trajtim dhe programi adekuat terapeutik janë baza për mbarëvajtjen e procesit terapeutik. Kështu tha për Portalb.mk Hatixhe Sefa, drejtoreshë dhe psikologe e Qendrës “Savant” e cila ofron shërbime psikologjike, defektologjike dhe logopedike për fëmijë dhe të rritur. Ajo gjithashtu foli për sfidat me të cilat përballen fëmijët, shërbimet që i ofrojnë, metodat e trajnimeve të problemeve të komunikimit dhe shumë tema të tjera.

Portalb.mk: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballen fëmijët dhe të rriturit sot dhe çfarë shërbime kërkojnë ata? 

Hatixhe Sefa: Sfidat me të cilat përballen fëmijët dhe të rriturit sot janë të natyrave të ndryshme, mirëpo në përgjithësi të rriturit më shpesh kërkojnë ndihmë psikologjike është stresi dhe ankthi nga rutina e stërngarkuar e cila shkakton ngarkesë psikologjike, çrregullimet e ndryshme psikologjike, divorci dhe problatika të tjera. Ndërsa fëmijët të cilët i sjellin në qendrën tonë për trajtim psikologjik, logopedik dhe edukim special dhe rehabilitim janë fëmijë me çrregullime zhvillimi, çrregullime në komunikim dhe shumë problematika të tjera me ndonjë diagnozë apo pa një diagnozë të përcaktuar. Ndërsa kohëve të fundit për trajtim psikologjik kemi edhe fëmijët me ankth, fobi të ndryshme dhe fëmijë të bullizuar.

Portalb.mk: Cilat janë metodat më efektive që përdorni për trajtimin e problemeve të komunikimit dhe zhvillimit te fëmijët?

Hatixhe Sefa: Çrregullimet e komunikimit kohëve të fundit janë problematika mjaft shqetësuese sepse numri më i madh i fëmijëve të moshave 2 deri në 6 vjeç që trajtohen në Qendrën Savant janë me çrregullime të komunikimit të cilët janë fëmijë me autizëm, vonesë gjuhësore apo edhe diagnoza të tjera specifike të cilat gjithashtu në vete kanë çrregullime në komunikim dhe përveç tjerash punohet edhe në zhvillimin e komunikimit si në gjuhën e kuptuar poashtu edhe në gjuhën e shprehur. Metodat që përzgjidhen në punë me fëmijët përcaktohen në varësi nga çrregullimi me të cilin shoqërohet fëmija, kështu që fëmijët me çrregullime të këtilla kryesisht trajtohen me metodën ABA, me terapi të lojës, terapi logopedike të cilat synojnë zhvillimin gjuhësor tek fëmijët.

Portalb.mk: Si e përjetojnë fëmijët dhe familjet e tyre procesin e trajtimit, sa e rëndësishme është përfshirja e prindërve në këtë proces?

Hatixhe Sefa: Sigurisht që trajtimi është një proces jo edhe aq i lehtë, në fillim tek pjesa më e madhe e fëmijëve janë problemet e përshtatjes dhe kjo për prindërit shpeshherë është pjesa më e vështirë sepse duhet që të presin dhe ta sjellin fëmijën e tyre edhe duke qarë derisa të adaptohet. Në këtë periudhë mund të ndodhë që edhe të dorëzohen disa prindër sepse nuk e përballojnë që të dëgjojnë refuzimin e fëmijëve me të qara, mirëpo vetëm ata që bashkëpunojnë ia dalin duke ndihmuar këtë proces. Bashkëpunimi me prindërit, rregullshmëria në trajtim dhe programi adekuat terapeutik janë bazike për mbarëvajtjen e procesit terapeutik dhe suksesit.

Fotografi nga shërbimet e Qendrës “Savant”: Foto: Hatixhe Sefa
Fotografi nga shërbimet e Qendrës “Savant”: Foto: Hatixhe Sefa

Portalb.mk: Cilat janë sfidat më të mëdha që përballen profesionistët që punojnë në këtë fushë? A ka mbështetje të mjaftueshme institucionale për këtë punë?

Hatixhe Sefa: Sfidat profesionale janë të ndryshme dhe individuale. Secili terapist në varësi nga qasja e punës i ka edhe vështirësitë e punës. Në disa raste shpesh kemi terapist që është shumë i suksesshëm në një qasje dhe një teknikë të punës ndërsa në një teknikë tjetër hasin në vështirësi, ka të tjerë që janë më të suksesshëm tek fëmijët më të vegjël ndërsa të tjerë me fëmijë më të rritur.

Prandaj dhe themi që vështirësitë janë individuale mirëpo rëndësi të veçantë për një profesionist kanë trajnimet shtesë, super vizimet e brendshme dhe të jashtme në punën e tyre të përditshme, kushtet e punës me të cilat duhet të zhvillohet puna, si dhe bashkëpunimi në punë sepse çrregullimet e zhvillimit kryesisht duhet duhet të trajtohen në një institucion multidisiplinar duke përfshirë këtu psikologun e zhvillimit, logopedin, edukatorin special, psikiatrin dhe në disa raste edhe pediatrin. Në Qendrën Savant ne e sigurojmë këtë mbështetje ekipore dhe sigurohemi që terapistët të kenë kushtet adekuate për punë. Besoj që kështu të jetë edhe në institucionet publike.

Portalb.mk: Si e vlerësoni ndërgjegjësimin dhe edukimin e shoqërisë lidhur me nevojën për terapi psikologjike, defektologjike dhe logopedike? A ka ende stigma?

Hatixhe Sefa: Në shoqërinë tonë po punohet për të ngritur ndërgjegjësimin dhe këtë e bëjnë jo vetëm psikologët, defektologët apo logopedët, por kjo punë po mbështetet mjaftueshëm edhe nga mediat gjë që e lehtëson këtë edukim shoqërorë. Prandaj në këtë pikë mund të themi që po është ngritur niveli i ndërgjegjësimit në shoqërinë tonë dhe në një moshë më të hershme tani po i sjellin në trajtim fëmijët e tyre prindërit që vërejnë ndonjë vështirësi apo pengesë në zhvillimin e tyre.

Kohëve të fundit është i kënaqshëm ky fakt edhe pse ka nevojë akoma për punë që ky nivel të arrijë në pikën që secili fëmijë nga mosha 1 deri në 5 vjet së paku një herë të bëjë një vlerësim të zhvillimit të tij edhe nëse nuk vërehet ndonjë pengesë nga ana e prindit. Nuk dëmtohet asgjë prindi përveç nëse evidentohet ndonjë pengesë të trajtohet në kohë dhe të tejkalohet apo përmirësohet, sepse trajtimi i hershëm është çelësi për rezultatet e mëtejshme.

Portalb.mk: Si mundet shoqëria të përmirësojë qasjen ndaj këtyre shërbimeve dhe të krijojë një mjedis më mbështetës për individët që kanë nevojë për terapi?

Hatixhe Sefa: Rol të rëndësishëm dhe në ndihmë të prindërve dhe institucioneve terapeutike, rehabilituese dhe edukative ka edhe vetë shoqëria në përgjithësi! Patjetër që pranimi i secilit individ me ndonjë vështirësi në jetën e tij, përfshirja e tij në shoqëri, dashuria dhe mbështetja janë shumë të rëndësishme që ky individ qoftë fëmijë apo i rritur të integrohet, aftësohet dhe të përmirësojë kualitetin e jetës së tij.

Izolimi nga aktivitete të ndryshme në shoqëri dhe paragjykimet e pengojnë dhe e vështirësojnë edhe më shumë procesin terapeutik por edhe jetën e tyre në përgjithësi. Edhe institucionet terapeutike dhe edukative kanë nevojë për mbështetjen e shoqërisë sepse siç shprehen edhe vetë prindërit ata janë njerëz në hall dhe kostot e terapisë shpesh janë ngarkesë për ta, institucionet terapeutike sado që përpiqen me kapacitetin e tyre financiar nuk mund të mbulojnë të gjitha rastet që paraqiten me kushte të rënduara socio-ekonomike. Prandaj këtu shoqëria ndihmon shumë nëse mbështet institucionet terapeutike që ata të përfshijnë sa më shumë fëmijë dhe persona të rritur me nevojë për terapi kështu që kjo barrë të bëhet më e lehtë edhe për vetë prindërit por edhe për institucionet përkatëse.

Fotografi nga shërbimet e Qendrës “Savant”: Foto: Hatixhe Sefa
Fotografi nga shërbimet e Qendrës “Savant”: Foto: Hatixhe Sefa

Portalb.mk: Cili do ishte mesazhi juaji për lexuesit tanë?

Hatixhe Sefa: Unë përcolla ndërmjet rreshtash disa mesazhe mirëpo mesazhi përfundimtar do të ishte që secili individ i rritur, i vetëdijshëm dhe i aftë të bëhet hallka e parë e ndihmës së një personi tjetër me nevojë për trajtim psikologjik apo një fëmije me pengesa në zhvillim. Shoqëria le të bëhet mbështetje duke i inkurajuar për të filluar terapinë, për të ndjekur atë apo së paku për një konsultë kur të shohin nevojën tek tjetri dhe jo të pengojnë ata duke paragjykuar apo duke izoluar. Shpesh një person me nevojë për psikoterapi nuk e vëren veten e gjithashtu një prind me fëmijë me pengesa në zhvillim nuk mund ta pranojë që fëmija i tij mund të ketë një çrregullim në zhvillim prandaj edhe nuk e merr hapin për një vlerësim të tij. Le të aktivizon këtë alarm një anëtar i familjes, një mik, një kolegë apo një komshi që personi në fjalë të vetëdijesohet për gjendjen e tij apo të fëmijës së tij dhe nevojën për ndihmë.

Ndërsa individët të cilët vërejnë që në vete kanë një ngarkesë, një shqetësim apo e shohin veten pa një zgjidhje le të kërkojnë ndihmën e psikologut sepse me pak punë mund të ndihmojnë veten shumë. Kjo vlen edhe për prindërit të cilët kanë një vështirësi dhe kanë nevojë për udhëzime në edukim, trajtim të fëmijëve apo një zbrazje emocionale për shkak të përditshmërisë së tyre të ngarkuar me një fëmijë me çrregullime apo tipik të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmë profesionale për veten e tyre dhe sa më parë edhe për fëmijën e tyre nëse vënë re një nevojë të këtillë.