Grkovska në forumin e sigurisë në Uashington: Partneriteti me SHBA është kyç në trajtimin e ndikimeve keqdashëse në Ballkan

Maqedonia e Veriut ka qenë gjithmonë në udhëkryq të ndikimeve të ndryshme, duke përfshirë edhe ato të dëmshme që minuan çdo hap që kemi ndërmarrë si vend për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe për të hyrë në BE. Këtë e ka deklaruar sot zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska, në Uashington në forumin e sigurisë me temë “Ndikimi keqdashës kinez dhe rus në Ballkan”, transmeton Portalb.mk.

Grkovska theksoi se këto ndikime nuk u zvogëluan me hyrjen në NATO, por u intensifikuan pasi vendi u përball me pengesa të reja për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ajo tha se në një kontekst të tillë, narrativat e dëmshme, lajmet e rreme dhe dezinformatat përhapen gjithnjë e më thellë në shoqëri.

“E gjithë kjo është në interes të agjendave të vendeve nga të cilat Maqedonia e Veriut, historikisht, nuk ka parë asgjë të mirë. Ndërsa euroskepticizmi në rritje dhe ndjenjat antiperëndimore që po forcohen sistematikisht, mund të kenë pasoja të gjera në stabilitetin e shoqërisë sonë dhe të gjithë rajonit”, tha Gërkovska.

Në këtë drejtim ajo përmendi ndihmën e SHBA-ve në mbështetje të RMV-së për promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe ndërtimit të kapaciteteve të qëndrueshme institucionale për rritje dhe zhvillim.

“Pa partneritetin me SHBA-në, ne vetë nuk do të mund të përballeshim me ndikimet keqdashëse të armiqve të lirisë dhe demokracisë, as të parandalonim metastazat që depërtojnë në strukturën e brishtë të shoqërisë sonë”, përfundoi Grkovska.

Përndryshe, raporti “Perspektiva gjeopolitike e rrjedhave të dezinformatave në Ballkanin Perëndimor” në kuadër të projektit rajonal “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: zbulimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë vëzhguese tregon se dezinformimi dhe lajmet e rreme janë problem serioz i sigurisë që mund të pengojnë realizimin e objektivave strategjikë më të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq se është e domosdoshme që të gjitha vendet e rajonit të vendosin bashkëpunim të ngushtë të ndërsjellë dhe të kenë qasje në ekspertizën e BE-së dhe të NATO-s në krijimin e strategjive të rezistencës dhe reagimit ndaj ndikimeve të huaja keqdashëse.

Sipas hulumtimit, vitet e fundit, ndikimi i huaj keqdashës në Ballkanin Perëndimor i ka intensifikuar përpjekjet e tij për minimin e zhvillimit demokratik të rajonit. Presionet e jashtme të dëmshme i shfrytëzojnë zhvillimet dhe ngjarjet kryesore politike brenda vendeve, por gjithashtu manipulojnë me çështje globale. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.