“Goca e Kaçanikut” premiera që e ktheu Shkupin në skenë të kulturës shqiptare
Në nder të Pavarësisë së Kosovës, mbrëmë në Shkup, në skenën e Operës dhe Baletit Kombëtar, u dha premierë opera “Goca e Kaçanikut” opera e parë kosovare e kompozitorit të njohur Rauf Dhomi, duke u shndërruar në një ngjarje të madhe kulturore dhe thellësisht emocionale, shkruan Portalb.mk.
“Goca e Kaçanikut” u prit me interes të madh nga publiku, duke dëshmuar se arti mbetet një nga mënyrat më të forta për ta ruajtur dhe për ta përcjellë historinë tonë.
Kjo premierë në Shkup ishte edhe një dëshmi e lidhjes së gjallë kulturore mes shqiptarëve si dhe një urë e rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve artistike.
Salla u mbush me emocion, ndërsa publiku ndoqi një vepër që nuk ishte thjesht art, por një rrëfim i gjallë për historinë, qëndresën dhe identitetin kombëtar.
“Goca e Kaçanikut” solli në skenë frymën e Kaçanikut dhe jetën e shqiptarëve ndër breza, duke e kthyer muzikën në kujtesë kolektive dhe skenën në një dëshmi të gjallë të asaj që jemi dhe çfarë kemi kaluar.

Regjisori Nikolin Gurakuqi për Portalb.mk tha se ‘Goca e Kaçanikut’ nuk është vetëm një shfaqje operistike, por një thirrje për kujtesë dhe krenari kombëtare. Kjo vepër e vendos në piedestal qëndresën e popullit shqiptar për liri dhe rolin e gruas shqiptare si shtyllë e familjes dhe e atdheut. Është i bindur se publiku i Shkupit do ta përjetojë me emocion dhe do ta kuptojë fuqinë e mesazhit që përcjell kjo opera.
“Shfaqja e operës “Goca e Kaçanikut” vjen në Shkup, pas një suksesi të jashtëzakonshëm në Prishtinë, Gjakovë dhe Tiranë gjatë viteve 2024-2025, ku u prit me brohoritje për vetë temën që trajton dhe mesazhin që përcjell. Në Shkup, kjo shfaqje vjen si përmbyllje e turneut ballkanik, por jo si një ngjarje thjesht kulturore. Ajo vjen si një akt i fuqishëm që ngre lart kulturën shqiptare kudo ku shfaqet, duke vendosur në piedestal qëndresën e popullit shqiptar për liri kundër pushtuesve të huaj, si dhe virtytet më të larta patriotike të gruas dhe familjes shqiptare, kur është fjala për mbrojtjen e atdheut”, tha Gurakuqi.

Kjo premierë në Shkup u cilësua si një moment i rëndësishëm jo vetëm për jetën kulturore të qytetit, por edhe për lidhjen e fuqishme shpirtërore dhe kulturore mes Kosovës dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ngjarja dëshmoi se kultura është ura më e fortë që bashkon njerëzit, edhe kur i ndajnë kufijtë, dhe se veprat e mëdha kombëtare i përkasin gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë.
Kjo ngjarje u organizua nga Komuna e Çairit, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës, si një aktivitet i përbashkët kulturor në nder të Pavarësisë së Kosovës.