Gjykatësit suprem të dyshuar për ryshfet, Nake Gjeorgiev iu vërtetua masa e paraburgimit

Nake Gjeorgiev, gjykatës nga Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nën dyshimet se ka marrë ryshfet për kryerjen e punës në mënyrë të paligjshme, i është hequr liria më 20 maj të këtij viti. Këshilli Gjyqësor me kërkesë të Gjykatës Themelore Penale në Shkup, ia hoqi imunitetin të dyshuarit, njashtu e largoi nga ushtrimi i funksionit deri në përfundimin e procedurës penale. Pala mbrojtëse ka paraqitur ankesë, mirëpo e njëjta është refuzuar sot nga Gjykata Themelore Penale në  Shkup, transmeton Portalb.mk.

Këshilli Penal nga Departamenti për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka vepruar sipas ankesës së mbrojtjes së të dyshuarit N.Gj., e deklaruar kundër vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake të datës 21.05.2024:

“Sot me kërkesë të mbrojtjes së të dyshuarit është mbajtur seanca publike në të cilën pas deklaratës së mbrojtjes dhe prokurorit lidhur me pretendimet në propozimin për caktimin e masës së paraburgimit është marrë vendim me të cilin ankesa e refuzohet si e pabazuar nga mbrojtja dhe vërtetohet vendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake me të cilin i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për shkak të ekzistimit të shkaqeve nga neni. 165 paragrafi 1 t. 2 dhe 3 të LPK. Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në Shkup”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup.

Ndryshe, para se t’i caktohet paraburgimi, Këshilli Gjyqësor në një seancë urgjente të mbajtur në mesnatën e së hënës dhe të martës, ia hoqi imunitetin Georgievit, e miratoi kërkesën për paraburgim dhe vendosi largimin e tij nga vendi i punës deri në vlefshmërinë e procedurës kundër tij. Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, pardje në një seancë i ka njoftuar kolegët për procedurën penale kundër gjyqtarit Georgiev.