Gjorgievska: Të drejtat e grave me aftësi të kufizuara janë pjesë e luftës për barazi gjinore dhe drejtësi sociale

Progresi i pabarabartë është gjithashtu i dukshëm kur bëhet fjalë për të drejtat e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara. Të drejtat e tyre janë pjesë integrale e luftës më të gjerë për barazi gjinore dhe drejtësi sociale. Këtë e theksoi sot bashkëshortja e presidentit Stevo Pendarovski, Elizabeta Gjorgievska, e cila mori pjesë dhe foli në diskutimin e dytë tematik “Ta shpaketojmë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në lidhje me të drejtat e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara”, transmeton Portalb.mk.

Duke theksuar se diskutimi i sotëm është në drejtim të përkrahjes publike për personat me aftësi të kufizuara, Gjorgievska tha se është gjithashtu mundësi për të filluar ndryshime reale.

“Në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, të cilën Maqedonia e Veriut e ratifikoi në vitin 2011, postulatet e një shoqërie vërtetë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, për të cilën ne qëndrojmë, janë të theksuara si parime bazë. Fatkeqësisht, shumë nga këto parime ende nuk janë arritur dhe këtë e vërteton edhe analiza e gjendjes me të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e bërë në vitin 2021 nga agjencitë e OKB-së në vend dhe ekspertët vendorë në terren”, tha Gjorgievska.

Ajo tha se sfidat me të cilat përballen gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara nuk janë të vogla dhe ato përballen edhe me sfida që lidhen me pabarazinë gjinore.

“Një realitet që shpeshherë mbetet nën shtresat e diskriminimit dhe mungesës së empatisë”, theksoi Gjorgievska, duke shtuar se është detyra jonë të mbrojmë të drejtën për barazi dhe të ekspozojmë paragjykimet.

Përfaqësuesi i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Armen Grigorjan, theksoi rëndësinë e mbështetjes së bashkësisë ndërkombëtare për sigurimin e mundësive të barabarta për të gjithë në shoqëri.

“Konventa e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara është baza e punës sonë, duke riafirmuar përkushtimin se të gjithë personat me aftësi të kufizuara duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, por në të njëjtën kohë të mbrojnë dinjitetin e personave me aftësi të kufizuara. UNDP zbaton një sërë aktivitetesh projektesh së bashku me personat me aftësi të kufizuara, të drejtuara drejtpërsëdrejti ndaj tyre, ku vëmendje e veçantë i kushtohet krijimit të kushteve dhe mundësive për aktivizimin e tyre në tregun e punës, qasje në arsim dhe trajnim cilësor, me qëllim përfshirjen e tyre të plotë dhe jetë e pavarur në komunitet në baza të barabarta me të gjithë”, theksoi Grigorjan.

Elena Koçovska nga lëvizja “Polio Plus” theksoi se çdo veprim, çdo masë dhe mendim i aktorëve apo qendrave të pushtetit duhet të jetë në përputhje me parimet e pakos 8+1 sepse janë mjete me të cilat personat me aftësi të kufizuara do të gëzojnë të drejtat civile dhe politike.

“Jeta e pavarur varet mbi të gjitha nga pranimi i diversitetit të tyre, i gjendjes së tyre si pjesë e diversitetit njerëzor, pranimi dhe promovimi i identitetit të tyre, ku këto tre parime përmbyllin qasjen e të drejtave të njeriut të treguar nga Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara“, tha Koçovska.

Ngjarja u mbajt në zyrën e Presidentit, organizuar nga Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Maqedoninë e Veriut – UNDP.