Gjimnazi “Zef Lush Marku” e humbi profesoreshën e gjuhës frënge Nebahate Rexhepi

Dje, në moshën 55 vjeçare, ka ndërruar jetë profesoresha e gjuhës frënge, Nebahate Rexhepi. Lajmin mortor e ka shpërndarë drejtoria e gjimnazit “Zef Lush Marku” në Shkup, njofton Portalb.mk

Në lajmi mortor që e ka shpërndarë drejtoria e Gjimnazit “Zef Lush Marku” në Shkup thuhet:

Me dhimbje të thellë e zemër të thyer, ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të koleges sonë të dashur, Nebahate Rexhepi. E njohur për përkushtimin dhe profesionalizmin e saj të jashtëzakonshëm, ajo la gjurmë të pashlyeshme, për shumë gjenerata, e në zemrat e të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin dhe punojnë me të. Kujtimi i saj do të mbetet i gjallë në zemrat tona, dhe ne do të vazhdojmë të ndjekim rrugën e saj me krenari. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve. U prehtë në paqe!

Zoti e shpërbleftë me Xhenet! Me respekt do të kujtojmë gjithmonë! Drejtoria dhe i gjithë stafi i Gjimnazit “Zef Lush Marku”- Shkup.

Ngushëllime të shumta për të ndjerën erdhën nga ish nxënësit e saj si dhe nga prindërit të cilët shprehën keqardhjen që humben një njeri profesionist dhe që kishte shumë dashuri për nxënësit dhe për arsimin.

Njëra nga nxënëset Kanita Mani shkruan: Më shokoi lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të kujdestares sonë Nebahate Rexhepi! Allahu e mëshiroftë dhe e gradoftë me gradat më të larta të Xhennetit! Jemi dëshmitarë të punës dhe kontributit të sajë që ka dhënë për neve e për shumë gjenerata. Ishte nënë e dytë për neve… S’do mend se mundin dhe sakrificën e atyre që kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes së popullatës dhe në zhvillimin e procesit edukativo-arsimor, për to ka shpërblime edhe pas vdekjes së tyre. Pejgamberi (a.s) ka thënë:“Kur vdes njeriu, sevapet i pushojnë, përveç në tri raste: të sadakasë së përhershme, të diturisë prej së cilës ka dobi njerëzia dhe (në rastin e) fëmijës së mirë që lutet për të.”

Pejgamberët nuk kanë lënë trashëgimi as ar, as argjend, por kanë lënë diturinë. Kush kapet pas saj, është kapur pas gjësë së duhur. “Të tillë janë: dijetarët, mësimdhënësit, edukatorët të cilët në mënyrë të vazhdueshme diturinë ua përcollën gjeneratave të tjera.

Mësohet se profesoresha Nebahate Rexhepi ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë, ndërsa varrimi do të bëhet në varrezat e Butelit.