Gjashtë persona u arrestuan, një është ftuar në bisedë zyrtare, gjatë bastisjeve për të shtënat në ahengun familjar në rrethinë të Gostivarit janë gjetur armë dhe municion

Nëpunës policorë të SPB Tetovë lidhur me videon e publikuar në rrjetet sociale për të shtënat gjatë një ahengu familjar në Dobërdoll të Gostivarit, kanë realizuar bastisje në disa lokacione, me ç’rast janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa një person është ftuar në bisedë zyrtare. Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe konfiskuar armë dhe municion, njofton Portalb.mk.

Në orën 18:00 është realizuar bastisje tek I.S. (21) nga fshati Dobërdoll, ndërsa në orën 18:05 tek A.I. (30) nga fshati Dobërdoll, ku është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me gaz. Në të njëjtën kohë është realizuar bastisje edhe tek I.B. (25) nga fshati Dobërdoll.

Në orën 18:15 është realizuar bastisje në shtëpinë e B.A. në fshatin Dobërdoll, ku janë gjetur 30 fishekë për pistoletë me gaz, ndërsa në oborr janë gjetur 27 gëzhoja të shkrepura nga pistoletë me gaz dhe një fishek për armë gjuetie. B.A. (46) dhe djali i tij M.A. (21), nga fshati Dobërdoll, janë privuar nga liria.

Më pas, në orën 18:25 është realizuar bastisje te T.M. (26) nga fshati Dobërdoll, ku janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me tetë fishekë, një pushkë gjuetie me shtatë fishekë dhe një pistoletë me gaz. Pas kësaj, ai është privuar nga liria, ndërsa S.M. është ftuar në bisedë zyrtare.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se të gjithë personat janë arrestuar në stacion policor për procedurë të mëtejme dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, kundër tyre do të dorëzohen kallëzime përkatëse.