Geer: Mungon ekspertiza, duhet të rriten kapacitetet e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Mungesa e punonjësve dhe ekspertëve në Agjencinë për mbrojtjen e të dhënave personale, mungesa e rregullativave ligjore në rast të keqpërdorimi të të dhënave personale dhe përforcimi i gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve në botën e teknologjisë bashkëkohore ishin disa prej çështjeve që u diskutuan në konferencën e sotme që u mbajt në Shkup me temë “Forcimi i gjyqësorit dhe mbrojtja e të rinjve në epokën digjitale”, e organizuar me rastin e Ditës Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Delegacioni i Bashkimi Evropian i Maqedonisë së Veriut dhe Qendra për Kërkime Ligjore dhe Analiza, njofton Portalb.mk.

Konferencën e hapi ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, David Geer, i cili theksoi se Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale duhet të punojë me kapacitete më të mëdha dhe se personeli i tyre duhet të trajnohet që të jetë i aftë të punojë në fushën e të dhënave përpara se të fillohet me implementimin e rregullativave për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ka mungesë të kurseve për trajnim të personelit personelin në sektorin publik dhe atë privat që merret me të dhënat personale. Në veçanti Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale duhet të ketë staf të mjaftueshëm. Çështja e personelit do të vështirësohet edhe më shumë kur ne do të vazhdojmë me zbatimin e kuadrit ligjor dhe agjencia duhet të jetë në gjendje të punojë me kapacitete të plota dhe në mënyrë të pavarur financiare dhe në aspektin e burimeve njerëzore dhe menaxhimit”, tha ambasadori Geer.

Për pesë vite 25% e punëtorëve janë larguar nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, konfirmoi drejtori, Imer Aliu, i cili tha se punëtorët kanë ikur në sektor privat për paga më të mira.

“Stafi jonë jo që nuk rritet, por pakësohet për shkak se Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale është ligj relativisht rigoroz dhe institucionet e kanë parë nevojën me harmonizimin me këtë ligj dhe ku ata mund të gjejnë njerëz të përgatitur profesionalisht që të aplikojnë përveç se në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Si pasojë dhe në pesë vitet e fundit kemi humbur 25% të stafit që kanë shkuar në sektorin privat, sigurisht që edhe për shkak të pagave shumë më të larta që u ofrohen në sektorin privat për dallim nga sektori publik” tha Imeri.

Ai shoti gjithashtu se Qeveria pa dhënë sqarime e ka tërhequr nga procedura kuvendore ligjin i cili parasheh që rastet e keqpërdorimit të të dhënave personale të ndiqen si vepra penale.

“Sfidë për ne, mbetet Ligji për transformimin e direktivës së policisë përmes të cilit do të rregullohet në mënyrë specifike përpunimi i të dhënave personale me policinë dhe autoritetet për parandalimin, veprimin dhe ndjekjen e veprave penale. Ky ligj ishte në procedurë parlamentare dhe për fat të keq  pa ndonjë sqarim nga ana e Qeverisë u tërhoq”, tha drejtori Imeri.

Natasha Gaber Damjanovska, drejtore e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë tha se me anë të trajnimeve duhet të rriten kapacitetet e gjyqësorit dhe prokurorisë kur bëhet fjalë për të dhënat personale për shkak se keqpërdorimi i të dhënave personale mbaron në gjykatë.

“Është i nevojshëm ndërgjegjësimi i akademisë, i profesionistëve juridikë, këtë e bëjmë në kuadër të temave që planifikohen çdo vit brenda akademisë. Kemi trajnime për gjyqtarët në lidhje me aspektin e internetit, por kërkohet edhe më shumë punë sepse kjo temë mbulon segmente të ndryshme, aspekte të ndryshme dhe secilit aspekt duhet t’i jepet një trajnim i duhur që të mund të përballemi me problemet në mënyrë efikase dhe efektive.”, tha Damjanovka.

Përveç përforcimit të kapaciteteve të gjyqësorëve dhe prokurorisë në konferencë u theksua edhe  nevoja e përforcimit të kapaciteteve të institucioneve tjera të cilat punojnë me të dhëna personale e ndër ta është edhe Ministria për Punë të Brendshme . Për këtë arsye është krijuar edhe një Udhërrëfyes për rregullativa ligjore nga eksperti juridik, Aleksandar Goxho. Ai theksoi se drejtësia si fushë asnjëherë nuk do të mund ta arrijë teknologjinë për shkak se drejtësia kërkon definim të normave dhe rregullativave, mirëpo ai theksoi se Maqedonia e Veriut mund të përpiqet që të jetë një hap pas teknologjisë e jo më shumë.

Në pjesën e dytë të konferencës u diskutua për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në epokën digjitale. Panelistët porositën që të rinjtë duhet të informohen për të drejtat e tyre, cilat të dhëna personale duhet t’i shpErndajnë në internet dhe të informohen se ku mund të raportojnë në rast të keqpërdorimit të tyre.