Gabriel Eskobar: RMV drejtë BE-së një realitet në rritje, nuk ka alternativë tjetër

Gabriel Eskobar, zëvendës ndihmës sekretari dhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për Qendrën Evropiane të Këshillit Atlantik, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën evropiane. Për këtë çështje, ai tha se ka marrë garancitë e zyrtarëve për zbatimin e plotë të marrëveshjeve ndërkombëtare, pavarësisht bindjeve, ngase integrimi është një realitet në rritje dhe se nuk ka alternativë tjetër, ndërkaq nga pala greke do të kërkojnë të ratifikikojnë memorandumet në parlament, shkruan Zëri Amerikës, transmeton Portalb.mk.

Eskobar, gjatë bisedës për rolin e Shteteve të Bashkuara përballë sfidave në Ballkanin Perëndimor, u pyet nëse pas fitores së VMRO-DPMNE-së dhe shqetësimit në rritje për Marrëveshjen e Prespës, ai ende beson se rruga drejt Evropës do të vazhdojë, siç deklaroi ai ditën e zgjedhjeve.

“Po. Unë mendoj se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ia bënë shumë të qartë qëndrimin presidentit pas inaugurimit se ne presim plotësisht që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën e saj evropiane, të angazhohet, të vazhdojë të jetë një anëtare e përkushtuar e NATO-s, dhe më besoni, ata janë një anëtar i përkushtuar i NATO-s. Dhe morëm garanci nga të gjitha nivelet e kryesisë partiake të partisë kryesore [VMRO-DPMNE] që fitoi zgjedhjet, se do të mbeten të përkushtuar në rrugën evropiane”, u përgjigj Eskobar.

Ai tha se në fakt “ka një realitet në rritje se nuk ka alternativë tjetër. Kështu që unë mendoj se do të shohim dhe shpresoj se do të shohim që kjo rrugë të vazhdojë të jetë një synim kryesor politik i qeverisë së re.”

Greqia e lidhi progresin e vendit drejt BE-së me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe kryesisht me “përdorimin e emrit kushtetues të vendit”, pasi Gordana Siljanovska-Davkova gjatë inaugurimit të presidentes tha Maqedonia, dhe jo Maqedonia e Veriut.

Kabineti i Siljanovska-Davkovës menjëherë pas inaugurimit njoftoi se presidentja do t’i përmbahet përdorimit zyrtar të emrit kushtetues, por se në daljet e saj publike “ajo ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje. dhe vetë identifikimi”.

Ministria e Punëve të Jashtme greke deklaroi se ky veprim i Siljanovskës është shkelje e qartë e Marrëveshjes së Prespës.

“Greqia thekson kategorikisht se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut, si dhe progresi në kursin e saj evropian, varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe kryesisht nga përdorimi i emrit kushtetues të vendit”, tha MPJ-ja greke pas inaugurimit.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, në një aktivitet më 17 maj, tha se Greqia nuk do të ratifikojë memorandumet që dalin nga Marrëveshja e Prespës, nëse nuk respektohen nga qeveria e re.

Departamenti i Shtetit, i pyetur nga Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase nëse Shtetet e Bashkuara do t’i kërkojnë Greqisë të votojë për memorandumet, siç i kërkuan edhe Maqedonisë së Veriut të respektojë marrëveshjen, deklaroi se “Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura në Marrëveshjen e Prespës, dhe për integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”.

Shërbimi për shtyp i Departamentit të Shtetit tha se ndërsa formohet qeveria e re dhe zgjidhet një kryeministër, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e respektimit të “marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfitimeve të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”.

Kujtojmë se, reagimet për Marrëveshjen e Prespës nisën të vijnë, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës.

Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është e një rëndësie të madhe, pasi menjëherë pas arritjes së saj Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s.