Forumi i Sigurisë dhe Mbrojtjes ”Schuman” 2024: nxitja e partneritetit midis BE-së dhe rajonit

Kolumnë nga ambasadori David Geer, shef i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut

Kolumnë nga ambasadori David Geer, shef i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut

Bota e sotme po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Politika e pushtetit është kthyer. Bota është gjithnjë e më shumë polare dhe më pak multilaterale. Jemi dëshmitarë të luftërave “të vjetra” por edhe “të reja”, me kërcënime kibernetike, dezinformata, shfrytëzim të tregtisë apo migrimit si armë. BE-ja dhe partnerët e saj përballen me kërcënime të përbashkëta të sigurisë.

Agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës ka prishur ndjenjën e sigurisë së qytetarëve evropianë – në një masë të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore. Sidomos në këtë rajon, ajo ka ngjallur kujtime të dhimbshme të konflikteve që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë. Pushtimi brutal ushtarak rus i Ukrainës ka prishur gjithashtu tregjet globale dhe zinxhirët e furnizimit me energji. Dhe pas tij, janë zhvilluar fushata dezinformuese për të arsyetuar atë që nuk mund të arsyetohet – shkeljen e rendit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve, ose për të ngatërruar agresorët me viktimat.

Këto kërcënime janë pjesë e një teatri të vetëm (të sigurisë). Është e vështirë për çdo vend apo organizatë që t’i trajtojë këto sfida të sigurisë, më vete. Partneritetet janë thelbësore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Duke punuar së bashku, BE-ja dhe partnerët e saj tashmë po kontribuojnë për të arritur këtë qëllim.

Maqedonia e Veriut dhe BE-ja kanë punuar së bashku për të promovuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2006, kur vendi u bë pjesë e misionit të BE-së ALTHEA në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ishte gjithashtu pjesë e përpjekjeve të paqes të udhëhequra nga BE-ja në pjesë të tjera të botës – duke marrë pjesë në misionin e trajnimit të BE-së në Republikën e Afrikës Qendrore. Forcat e armatosura të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pjesë në disa grupe për betejë të BE-së – njësi shumëkombëshe dhe ushtarake, të cilat janë pjesë e kapacitetit ushtarak të Bashkimit Europian për reagim të shpejtë ndaj krizave dhe konflikteve në mbarë botën. Në maj të vitit 2020, Akademia Ushtarake “Gjeneral Mihajlo Apostolski” u bë partner në rrjetin e Kolegjit Europian të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

BE-ja është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me vendet e rajonit, si një partner i vlefshëm i sigurisë globale. Në kuadër të Mekanizmit Europian të Paqes, forcat e armatosura të Maqedonisë së Veriut kanë marrë ndihmë nga BE-ja në vlerë prej 9 milionë eurosh, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të tyre duke përmirësuar pajisjet e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë. Kjo do ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut që të rrisë më tej pjesëmarrjen e saj në misionet dhe operacionet ushtarake ndërkombëtare, kryesisht në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së. BE-ja po promovon gjithashtu qëndrueshmërinë e të gjithë rajonit – duke forcuar kapacitetet e Forcës Pararendëse Mjekësore Ballkanike. Nëpërmjet Mekanizmit Europian të Paqes janë blerë pajisje dhe material të nevojshme për njësitë mjekësore të forcave të armatosura të vendeve pjesëmarrëse, përkatësisht Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, për të rritur mundësitë mjekësore ushtarake në rajon, duke mbështetur në këtë mënyrë përpjekjet për ndihmë civile.

Bashkëpunimi ynë në rritje tregon interesin e përbashkët të BE-së dhe Maqedonisë së Veriut për të punuar në partneritet për të promovuar paqen, sigurinë dhe çështjet e mbrojtjes. BE-ja synon të angazhohet më tej me partnerët e saj, gjithashtu duke i dëgjuar ata dhe duke mësuar nga përvojat e tyre. Sepse ajo që partnerët kanë për të thënë në lidhje me çështjen e sigurisë dhe mbrojtjes është e rëndësishme. Edicioni i dytë i Forumit të Sigurisë dhe Mbrojtjes “Schuman” (“Forumi Schuman”) që zhvillohet në Bruksel më 28-29 maj 2024 – është një mundësi e shkëlqyer për ta bërë këtë. Gëzohemi që Maqedonia e Veriut do të marrë pjesë në diskutimet se si BE-ja dhe partnerët e saj të sigurisë dhe mbrojtjes, së bashku mund të ndihmojnë për paqen dhe sigurinë globale.