FMN-ja miratoi kredi prej 8.1 miliardë dollarë për Ukrainën
Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi se Bordi Ekzekutiv ka miratuar një program katërvjeçar kredie për Ukrainën në vlerë prej 8.1 miliardë dollarësh, transmeton Portalb.mk.
Sipas njoftimit, rreth 1.5 miliardë dollarë do të disbursohen menjëherë.
Programi i ri është pjesë e një pakete më të gjerë ndërkombëtare prej 136.5 miliardë dollarësh, e cila synon të mbështesë ekonominë ukrainase përballë luftës së vazhdueshme me Rusinë.
Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, deklaroi se Ukraina dhe qytetarët e saj kanë përballuar një konflikt të gjatë dhe shkatërrues për më shumë se katër vjet, duke treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme.
Ajo theksoi se marrëveshja e re ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të arritur me vështirësi, si dhe avancimin dhe thellimin e reformave strukturore gjatë kohës që lufta vazhdon.