Filharmonia e Kosovës sonte në Shkup shënon 25 vjetorin me koncert madhështor
Sonte (27 shtator) në Sallën e Koncerteve të Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup, me fillim nga ora 19:30, Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncert në Shkup me rastin e 25-vjetorit të themelimit, shkruan Portalb.mk.
Orkestra dhe Kori i Filharmonisë, në bashkëpunim me Korin e Operës së Kosovës, do të sjellin një program me dy vepra nga kompozitori kosovar Mendi Mengjiqi: “Symphonic Pain” dhe oratoriumin “Homagium Matri Teresiae”.
Koncerti do të dirigjohet nga mjeshtri polak Wojciech Czepiel, me një kast solistësh të jashtëzakonshëm nga Kosova dhe Polonia: Adelina Paloja, soprano; Ewa Menaszek, mezzosoprano; Piotr Kalina, tenor; Grzegorz Szostak, bas.
Filharmonia e Kosovës ka shënuar 25-vjetorin e saj me një koncert jubilar mbrëmë në Prishtinë, ku solli para publikut një program të veçantë muzikor. Veprat e kompozitorit Mendi Mengjiqi, “Symphonic Pain” dhe “Homagium Matri Teresiae”, u interpretuan me sukses dhe u pritën ngrohtësisht nga artdashësit.
Koncerti u drejtua nga dirigjenti i njohur polak Wojciech Czepiel, ndërsa në skenë u ngjitën solistë të shquar nga Kosova dhe Polonia:
- Adelina Paloja, soprano
- Ewa Menaszek, mezzosoprano
- Piotr Kalina, tenor
- Grzegorz Szostak, bas
Dardan Selimaj, drejtor i Filharmonisë së Kosovës në fjalimin e tij tha se çdo notë është një rrëfim.
“Në 25 vjet, Filharmonia është rritur, por rruga përpara mbetet e gjatë. Ky sezon e fut atë në një udhëtim sfidues, por plot energji, me dirigjentë si: Toshio Yanagisawa, Peter Valentovič, Dario Salvi, Artun Hoinic, Marco Crispo, Marion Wood, Jacopo Sipari di Pescasseroli, Aurélien Azan Zielinski, Premil Petrović dhe Gregory Charette, si dhe me solistë të dalluar. Ky sezon shënon edhe rikthimin në Romë, në Bazilikën e Santa Maria in Aracoeli, për festimet e Jubileut, si dhe debutimin në Sallën e Filharmonisë së Berlinit.
Çdo notë është një rrëfim. Për Filharmoninë e Kosovës, kjo nuk është vetëm një moto. Është mënyrë jetese”.
Nëse nuk kemi paqe, është sepse kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit”, është thënia e Nënës Terezë që frymëzoi këtë oratorium. Është më shumë se një fjali: është një kujtesë e përhershme. Në një botë ku luftërat dhe konfliktet po shtohen, muzika bëhet zë që thërret për kujdes, për afërsi, për përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit. Kur ky mesazh vjen nga një popull që çerekshekull më parë përjetoi spastrimin etnik dhe luftën, merr peshë të veçantë: nga përjetimi i së keqes lind thirrja për paqe. Kësisoj kjo vepër, nuk është vetëm një krijim artistik, por një testament shpirtëror që i flet së tashmes dhe së ardhmes”, tha Selimaj.