Festivali i Filmit WatchOut në Tetovë fillon javën e ardhshme

Edicioni i trembëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të filmit “WatchOut” në Tetovë këtë vit do të mbahet nga 12 deri më 15 qershor, shkruan Portalb.mk.

Vendi i zakonshëm i shfaqjeve të festivalit mbetet amfiteatri përballë Muzeut të Partisë Komuniste në Tetovë, ndërsa projeksionet do të shfaqen me fillim nga ora 20:00.

Në rast të kushteve jo të favorshme të motit, ngjarja do të transferohet në ambientet e qendrës LOJA.

Për edicionin e këtij viti arritën 630 filma nga 81 vende dhe 6 kontinente.

“Filmat dëshmojnë se kinematografia është urë lidhëse për botën dhe shkon përtej çdo kufiri. Jemi të lumtur të dëshmojmë se WatchOut! është kthyer në një festë të kinematografisë dhe një pikë referimi për autorët e filmit dhe filmdashësit”, thonë nga LOJA.

Përveç filmave, gjatë festivalit do të ketë edhe punëtori dhe debate.

Si gjithnjë, ky festival organizohet nga Qendra për Bashkëpunim Ballkanik LOJA dhe mbështetet nga Instituti Goethe Shkup dhe Kurve Wustrow.