Evropa bëhet gati të shohë eklipsin e Diellit, do të duket edhe në RMV
Miliona njerëz në Evropë pritet ta ndjekin sonte një fenomen të rrallë astronomik, eklipsin diellor. Pamja më spektakolare pritet në Spanjë, ku në disa zona Dielli do të mbulohet plotësisht nga Hëna. Eklipsi do të duket pjesërisht edhe në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Mbrëmjen e së mërkurës, më 12 gusht, pak para perëndimit të Diellit, Hëna do të kalojë përpara tij, duke krijuar një muzg të pazakontë dhe, në disa pjesë, edhe errësirë të plotë.
Në zona të mëdha të Spanjës do të mund të vëzhgohet një eklips total diellor, për herë të parë pas më shumë se një shekulli. Sipas parashikimeve, kushtet atmosferike pritet të jenë të favorshme dhe vranësirat nuk pritet ta pengojnë ndjeshëm pamjen.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se vëzhgimi i eklipsit duhet të bëhet vetëm me syze speciale të certifikuara për eklipse. Shikimi i drejtpërdrejtë i Diellit, edhe kur ai është pjesërisht i mbuluar nga Hëna, mund të shkaktojë dëmtime të përhershme të shikimit.
Fenomeni do të jetë i dukshëm edhe nga vende të tjera evropiane, por shkalla e mbulimit të Diellit do të ndryshojë në varësi të vendndodhjes.
Eklipsi do të duket pjesërisht edhe në Maqedoninë e Veriut dhe vendet e rajonit.
Mijëra vizitorë pritet t’u drejtohen zonave natyrore për të ndjekur spektaklin në horizont.