Endrit Krasniqi u shpall fitues i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK

Endrit Krasniqi është fituesi i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK. Ai rrëmbeu çmimin “Diamanti blu” me këngën “Flas me gjethen”, njofton Portalb.mk.

Juria çmimin e dytë e ndau për Greta Azizin, me këngën “Verës”, derisa çmimi i tretë i shkoi Dea Stricës me këngën “N’Shqipni”.

Besmir Shishko me këngën “Unë ajo” mori çmimin e Pallatit të Rinisë dhe i kryeqytetit,, të cilat i mori nga nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj dhe udhëheqësja e Pallatit të Rinisë, Mrika Gashi.

Drejtori artistik i Festivalit, Florent Boshnjaku, çmimin e orkestrës e ndau për Arnitë Kastrati me këngën “Blla blla”. Ai kërkoi duartrokitje për Orkestrën e Festivalit, të cilët kanë shoqëruar këngët me instrumentet muzikore.

Këngëtari mirënjohur për publikun shqiptar, Alban Skënderaj, në natën finale të Festivalit, performoi këngën “Vetëm ty” ku pushtoi skenën dhe publiku në sallë iu bashkua duke kënduar bashkë me të.

Pjesë e natës finale të festivalit ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Gjatë parakalimit në tapetin e kuq Kurti theksoi se ndjehet mirë që arriti ta përcjellë nga afër këtë spektakël muzikor.

“Nuk e di a jam shpesh në tapetin e kuq, por kjo është dëshmi që Kosova po organizon gjithnjë e më shumë festivale, koncerte e aktivitete publike të cilat janë reprezentative dhe natyrisht se e pasqyrojnë nivelin kulturor dhe artistik të vendit tonë. Më vjen shumë mirë që sonte do të jem në natën finale të edicionit të dytë të festivalit, i cili nëse është sikurse në edicionin e parë është shumë mirë, e nëse është edhe një çik më i mirë atëherë është shkëlqyeshëm”, deklaroi Kurti.

Violinisti me famë botërore, Olen Cezari, gjithashtu u ngjit mbrëmë në skenën e Festivalit, duke i dhuruar publikut dhe shikuesve një performancë të paharruar në violinë.

Në natën finale te festivalit performuar 9 artistë: Agim Poshka me “Ndarja erdhi”, Arnitë Kastrati me “Blla blla”, Besmir Shishko me “Unë Ajo”, Rei Bezhani me “Zonjë tradhti”, Endrit Krasniqi me “Flas me gjethen”, Ardit Stafaj “Faji”, Greta Azizi me “Veres”, Dea Strica me këngën “N’Shqipni” dhe Blendi Kaso me “Një të vetme ka në jetë”.

Ndryshe, vitin e kaluar Festivalin e Këngës në RTK e fitoi La Fazani me këngën Oj Kosovë.