Ekspozita “Metamorfoza” solli vështrimin realist të vlerave estetike ekzistenciale

Në Galerinë Nacionale në objektin Çifte Hamam në Shkup, po qëndron e hapur ekspozita personale e piktores Lulzime Leka Mulaku me titull “Metamorfoza II”. Në këtë ekspozitë piktorja prezantoi 50 piktura të formateve të ndryshme, një cikël interesant të punuara me akril, shkruan Portalb.mk.

Kuratorja e ekspozitës Narona Luma Veseli për Portalb.mk tha se kjo ekspozitë paraqet vlerat ekzistenciale të gruas.

“Ekspozita “Metamorfoza II”, cikli i ri i punimeve paraqet vështrimin realist të vlerave estetike ekzistenciale, siç është gruaja. Kompozimi figurativ i këtij cikli pasqyron artin ekzistencial të pafajësisë dhe dinjitetit të gruas”. Lulzime Leka Mulaku i takon skenës së artit bashkëkohorë dhe përfaqëson brezin e artistëve që filluan aktivitetin e tyre me shprehje vizuale që nga vitet e 90-ta”, tha Luma Veseli.

Fotografi nga pikturat e ekspozitës “Metamorfoza”. Foto: Portalb.mk
Fotografi nga pikturat e ekspozitës “Metamorfoza”. Foto: Portalb.mk

Ekspozita e piktores Lulzime Leka Mulaku është një udhëtim i thellë në botën e artit, ku ngjyrat dhe format shkrijnë mesazhët e saj të fuqishme vizuale. Artistja ka një aftësi unike për të kapur emocionet dhe realitetin përmes penës të saj. Pikturat të cilat shpesh pasqyrojnë një lidhje të ngushtë me natyrën dhe jetën përditshme, ofrojnë një pasqyrë të thellë mbi shpirtin e saj unik dhe të një artisteje të kompletuar.

Fotografi nga pikturat e ekspozitës “Metamorfoza”. Foto: Portalb.mk
Fotografi nga pikturat e ekspozitës “Metamorfoza”. Foto: Portalb.mk

Leka Mulaku ka marrë pjesë në më tepër se pesëdhjetë ekspozita kolektive të punimeve të pikturës, brenda dhe jashtë vendit: Kosovë, në disa ekspozita, vitet 1984-1987, Shqipëri, Ekspozita Gjithë kombëtare e Artistëve Figurativ, viti 1993, Kolonija ndërkombëtare e piktorëve, Tetovë 2002, Berat, Ekspozita Gjithë kombëtare e Artistëve Figurativ, viti 2009, Maqedoni, Tetovë, ekspozitat e Shoqatës së Krijuesëve, vitet 1996-2010, etj.

Fotografi nga pikturat e ekspozitës “Metamorfoza”. Foto: Portalb.mk
Fotografi nga pikturat e ekspozitës “Metamorfoza”. Foto: Portalb.mk

Ekspozitat personale: Galerija e ArteveTetovë, ekspozita “Kush e solli Doruntinën” cikli i parë, viti 2008, Galerija e ArteveTetovë, ekspozita “Kush e solli Doruntinën” cikli i dytë, viti 2010, Galerija kombëtare “Mala Stanica” në Shkup, viti 2011, Kosovë, ekspozitë personale me rastin e manifestimeve të kremtimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë, viti 2012, Kosovë, Galeria e Ministrisë së Kulturës, Prishtinë 2016, “Metamorfoza e kujtesës”.